Bushati në Portugali, përuron Konsullatën e Nderit
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvillon një vizitë zyrtare në Portugali ku ka takuar homologun e tij, Augusto Santos Silva.Duke falënderuar qeverinë e Portugalisë për mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë në procesin e integrimit, Bushati e homologu portugez konfirmuan vullnetin për të thelluar me tej marrëdhëniet dypalëshe si dhe për të dakordësuar një sërë marrëveshjesh që do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bashkëpunimin ekonomik.Bushati: Reformat tona shtet-konsoliduese kanë si fokus kryesor përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi. Ky është gur-themeli i programit tonë për më shumë zhvillim ekonomik, një klimë të përmirësuar për bizneset dhe një mjedis më të sigurt për investimet evropiane, përfshirë ato portugeze, në Shqipëri.Ministri Bushati theksoi se finalizimi i reformës në drejtësi mbetet e një rëndësie parësore në funksion të hapit të radhës në procesin e integrimit të Shqipërisë. Ministri Santos Silva vlerësoi Shqipërinë për rolin kyç që luan për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor".Gjatë vizitës në Lisbonë, ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme, Sousa, ndërsa mori pjesë edhe në ceremoninë e përurimit të Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Rajonin e Lisbonës, e cila vjen të përforcojë rrjetin ekzistues të konsullatave të nderit në Porto dhe Madeira.Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë ceremoni Bushati shprehu një falënderim të veçantë për komunitetin shqiptaro-portugez që jeton dhe punon në Rajonin e Lisbonës."Falë angazhimit dhe përkushtimit të këtij komuniteti, marrëdhëniet midis dy vendeve janë përforcuar, jo vetëm në rrafshin politik, por në të gjitha fushat", u shpreh ministri Bushati.Konsullata e re e nderit do të funksionojë për përforcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Portugalisë në fushën e arsimit dhe kulturës, me mbështetjen e veçantë të UNESCO-s./Ora News/