Zgjedhjet e 23 Qershorit, “Ora News” vendos të mos pranojë kaseta nga partitë

RTV "Ora News", ashtu si edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2011, vendos të mos pranojë kaseta të regjistruara dhe përgatitura më parë nga partitë politike në fuksion të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 Qershorit.Vendimi është marrë nga Presidenti i RTV "Ora News", z. Ylli Ndroqi pas konsultimeve me bordin drejtues dhe analistët e televizionit.Në respekt të etikës dhe standarteve profesionale, dhe teleshikuesve tanë besnikë që e kanë parë gjithmonë si një dritare të lirë  dhe të pavarur informacioni, RTV “Ora News” refuzon të përdoret nga partitë për të përcjellë me anë të ekranit tonë, mesazhe politike të përgatitura më parë në selitë e tyre.RTV "Ora News" siguron të gjithë shqiptarët që do të zgjedhin ekranin tonë për të ndjekur fushatën zgjedhore, se do të gjejnë fushatën e vërtetë, të filmuar dhe raportuar vetëm nga gazetarët dhe korrespondentët tanë dhe jo të servirur me mesazhe të përcaktuara nga ana e partive politike.Në RTV"Ora News" fushata zgjedhore për 23 Qershorin nuk montohet nga partitë politike.Në garantojmë të gjithë teleshikuesit tanë, brenda dhe jashtë kufijve, se në ekranin e RTV “Ora News” do të ndjekin vetëm fushatën reale, e cila do të ndiqet dhe xhirohet nga stafi në çdo cep të Shqipërisë.RTV "Ora News" shpreson në bashkëpunimin e partive politike për të respektuar vendimin tonë si shenjë profesionalizmi dhe paanësie ndaj çdo force politike që garon në zgjedhjet e 23 Qershorit.