Rama me banorë të njësisë nr 6: Në 8 maj na vodhën votën, në 23 qershor na marrin të keqen

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar komunikimin nga “këndi i fjalës” me banorët e njësisë numër 6 në zonën e “Misto Mames”, në Tiranë. Në përgjigje të interesit të banorëve për mundësi të manipulimit të rezultateve të zgjedhjeve ne 23 qershor, Rama tha se kjo nuk do të ndodhë, pasi koalicioni “ Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të fitojë me një rezultat të thellë.  Nderkaq  Rama komentoi dhe rolin e  SHBA, ku theksoi se Amerika nuk luan as rolin e qeverisë dhe as të opozitës në Shqipëri.

Nëse pret që Amerika të marrë vota për ne, mor prit, pasi Amerika është miku më i madh i Shqipërisë, por Amerika këtu nuk është për të bërë qeverisjen apo opozitën. Shqipërinë e bëjmë ne. Me 23 qershor mos mbaj mendjen tek 8 Maj, por nëse fituam me 10 vota dhe na i morën me 23 qershor fitojmë me 50 mijë vota dhe do na marrin të keqen” tha ai.

Shefi i opozitës ka akuzuar edhe njehërë shefin e qeverisë për rritje të taksave të biznesit të vogël, ndërsa ka premtuar heqjen e taksës për këtë biznes brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

Që të jemi realist, e mira do ishte që qeveria të mbështeste biznesin e vogël pavarësisht nëse do ishte qeveri e majtë apo e djathtë, por ju që merreni me biznes të vogël e doni që Saliu në 2005 premtoi përgjysmimin e taksës për biznesin e vogël i përgjysmoi vitin e parë, dhe vitin e dytë i doli bishti pas dardhës dhe iu vuri taksën e sheshtë, 1 vit më vonë ju vuri TVSH. Faktikisht me Saliun u nisët me përgjysmim dhe e hëngrët 3-fish . Kështu ndodh me të gjitha premtimet e tij. Me Saliun duhet pasur kujdes kur premton dicka se aty ku premton do e hash me keq sa je. Kështu ndodhi me biznesin e vogël, kështu ndodhi me fermerët që i tha do jua bëj naftën 400 lekë dhe sot është 800 lekë. Ne do e heqim taksën e biznesit të vogël në 100 ditët e para të qeverisjes. Ne do përgjysmojmë tatimin e fitimit që ju sot e keni 10%. Do marrë fund taksimi i dyfishtë dhe do marrim vetëm gjysmën e saj” u shpreh Rama.

I pyetur nga një qytetar me statusin e invalidit lidhur me pensionet për këtë kategori, Rama tha se PS do rrisë mbështetjen për invalidët duke regjistruar realisht invalidë dhe duke shmangur spekulimet me shtime fiktive të numrave.

“Ka një korrupsion të pamëshirshëm, ka pensione invalidi që merren nga persona që sjanë të tillë ashtu edhe për ndihmat sociale. Ne do luftojmë korrupsionin dhe do bëjmë që ato para që jepen për invalidët të shkojnë për ata që janë vërtetë invalidë dhe e meritojnë. Ne do rrisim mbështetjen për invalidët duke regjistruar realisht invalid dhe duke shmangur spekulimet me shtime fiktive të numrave” sqaroi Kryesocialisti.

 “Kemi një shtet që nuk përfaqëson vendin, shtet me të cilin tallet e tërë bota. Kemi një shtet që është sekëlldi e madhe, qesh bota me ne për shak të një shqiptari të pazakonshëm që e kemi në krye edhe 30 e pak ditë” ka qenë një tjetër koment i Ramës lidhur me cështjen e pensioneve të emigrantëve.

Kryetari i PS ka sulmuar edhe punën e pasardhësit të tij në Bashkinë e Tiranës, duke e vlerësuar një Kryebashkiak vetëm në kutinë e televizorit dhe asgjë më shumë.

“Problemi më i madh që ne kemi me qytetet tona është infrastruktura arsimore dhe sociale, kur drejtonim Bashkinë e Tiranës kemi bërë shumë në këtë drejtim, por qeveria ka refuzuar ti japë troje Bashkisë për të ndërtuar cerdhe dhe shkolla, ka privatizuar asetet publike për klientët, miqtë e me radhë. Do e ndryshojmë këtë qasje, jemi të vendosur tu japim lagjeve mbështetjen për të funksionuar si qëndra komunitare. Në 8 maj ndryshoi drejtimi i Bashkisë, por deri sot kemi një kryetar Bashkie vetëm në kutinë e televizorit dhe asgjë më shumë. Janë hapur rrugë dytësore me kohë dhe akoma s’po mbarojnë.Këto janë pasoja e një drejtimi që buron nga vjedhja e votës”theksoi Rama.