Pollo në Berat: Shifrat mavi të Edi Ramës, të gjithë e dinë si shkruhen e thuhen

Ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo, reagon pas deklaratave të kryesocialistit Edi Rama lidhur me ekonominë. Nga Cukalati i Beratit gjatë një takimi me banorët e zonës atje, Pollo deklaroi se Edi Rama nuk është shembulli më i mirë për të folur për ekonominë. Në cilësinë e deputetit të qarkut të Beratit, ku edhe synon për një tjetër mandat, Ministri hodhi poshtë pretendimet e Kryesocialistit për mbyllje të bizneseve, pasi sipas tij vetëm në Berat numërohen 3000 biznese, ndërsa realizimi i TVSH-së për muajin maj është 142% krahasuar me planin.“Sot Kryetari i PS-së Edi Rama foli për ekonominë shqiptare dhe tha se prej janarit të vitit 2011 po mbyllen 23 biznese në ditë. Edi Rama nuk është shembulli më i mirë për të folur rreth ekonomisë. Por si deputet i qarkut Berat mund të konfirmoj se sot Berati ka 3000 biznese më shumë të regjistruar në QKR dhe që janë aktivë në qarkun tonë. Z. Rama thotë se të ardhurat në buxhet nga TVSH-ja janë më të ulta në pesë vitet e fundit. Është për tu habitur ku i gjen këto shifra z. Rama. Vetëm në Berat realizimi i TVSH-së vetëm për muajin maj është 142% krahasuar me planin dhe 133% krahasuar me faktin e të njëjtit muaj të vitit të kaluar. Shifrat mavi të Edi Ramës të gjithë e dinë si shkruhen e thuhen!”-deklaroi Pollo.Më herët, kreu i PS-së Edi Rama akuzoi qeverinë se e ka çuar vendin drejt humnerës financiare ndërsa ekonomia shqiptare nuk është rritur prej 5 vjetësh.Në një konferencë për shtyp, Rama u shpreh se ka një rritje dramtike të deficitit buxhetor i cili sipas tij është më i larti në 5 vjet dhe 2 herë më i lartë se 4 vitet më parë. Të ndalim me votë këtë rrugë të rrënimit. E kuptoni se sa e domosdoshme është rilindja.“Jam sot këtu për t`ju thënë disa të vërteta dramatike që bazohen në shifrat zyrtare dhe ato janë shumë larg realitetit mbytës për sipërmarrjen e madhe dhe të vogël në Shqipëri. Që prej janarit të 2011 janë mbyllur 19 mijë biznese që do të thotë mbyllen 23 biznese në ditë, ose 1 në orë. Ndërkohë të dhënat fiskale të 4 mujorit tregojnë se të ardhurat në buxhet nga TVSH, që është treguesi më domethënës janë më të ulta në 5 vitet e fundit. Janë edhe më të ulta sesa në 2009 kur kjo qeveri grabiti votat dhe i dha vetes një mandat të dytë, ndërkohë që vetëm prej inflacionit duhet të ishte 10 përqind më shumë. Ekonomia ka 5 vjet që nuk rritet asnjë milimetër por përkundrazi tkurret” tha Rama.Shefi i opozitës theksoi më tej se biznesi i vogël po shkon drejt rrënimit ndërsa të ardhurat nga taksat janë më të ultat e këtyre viteve.