Berisha, McCormak: PS po përpiqet të pengojë zgjedhjet me KQZ, do votojmë propozimet e opozitës
Kryeministri Berisha priti sot në një takim shefen e Misionit të ODIHR-it Conny McCormak dhe anëtarë të tjerë të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.Kryeministri i shprehu zonjës McCormak mirëseardhjen në Shqipëri për Misionin eODIHR-it dhe duke vlerësuar rëndësinë themelore që ky mision ka në procesin zgjedhor, e siguroi atë për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në kryerjen e detyrave, për të cilat ky Mision është mandatuar.Zonja McCormak shprehu gjithashtu, nga ana e saj, kënaqësinë për takimin dhe për detyrën e kryesimit të misionit të 11-të vëzhgues të ODIHR-it në Shqipëri, me të cilën ajo është ngarkuar.Kryeministri Berisha shprehu besimin se të gjitha partitë politike janë të angazhuara për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Kryeministri nënvizoi se Kodi Zgjedhor tashmë ka trajtuar në mënyrë konsensuale, gjatë reformës së fundit zgjedhore, rekomandimet e ODIHR-it të viteve 2009 dhe 2011, duke e bërë kështu kornizën ligjore edhe më të mirë, edhe më solide, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës. Kryeministri, duke shprehur bindjen e tij se mazhoranca duhet të sigurojë besimin e opozitës në proces, nënvizoi se reforma zgjedhore u bazua në propozimet e opozitës.Kryeministri e njohu shkurtimisht shefen e Misionit të ODIHR-it në përmirësimet shumë të mëdha të infrastrukturës zgjedhore si hartimi i listave dixhitale të zgjedhësve, pajisja me karta identiteti e të gjithë votuesve, rritja e numrit të qendrave të numërimit, zvogëlimi i numrit të zgjedhësve për qendër votimi etj., ndryshime këto që do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e standardeve të procesit, do të shkurtojë kohën e numërimit, do të rrisë transparencën dhe besueshmërinë e rezultatit zgjedhor.Në lidhje me problemin e KQZ-së, Kryeministri u shpreh se Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur anëtarët e saj në KQZ, nëpërmjet orkestrimit politik të dorëheqjeve të tyre, megjithatë Kryeministri u shpreh i gatshëm për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë.Zonja McCormak e falenderoi Kryeministrin për panoramën dhe qartësimet mbi çështje të caktuara të procesit përgatitor zgjedhor dhe ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin për rëndësinë shumë të madhe të ka transparenca e procesit zgjedhor për besueshmërinë e këtij procesit. Ajo e njohu Kryeministrin me eksperiencat e saj 30-vjeçare në administrimin e zgjedhjeve si dhe me strukturën e Misionit Vëzhgues të ODIHR-it.Përfaqësuesit e ODIHR vlerësuan thirrjet e Kryeministrit Berisha për vendet anëtare të OSBE-së, Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, atë të Këshillit të Europës, Parlamentin Europian etj. për dërgimin e një numri sa më të madh vëzhguesish.