Nisi punimet Konferenca dy ditore e Nivelit të lartë të OSBE-së mbi Tolerancën dhe Mosdiskriminimin.Përfaqësuesi i Ukrainës, në cilësinë edhe të Kryetarit të radhës së OSBE-së Yevhen Sulima është shprehur se arsimimi i shoqërisë civile është me rëndësi për të parandaluar krimet e urrejtjes."Toleranca,mosdiskriminimi,lufta ndaj krimeve të urrejtjes janë shumë të rëndësishme. Vendet e OSBE-së kanë miratuar një program arsimimi në fushën e tolerancës dhe mosdiskriminimit. Me rëndësi është që të inkurajojmë luftën kundër diskriminimit. Falenderojmë Shqipërinë për organizimin dhe mikpritjen e kësaj konference në Tiranë” tha Sulima.Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha është shprehur se Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i tolerancës fetare dhe i bashkëjetesës në paqe mes komuniteteve.“Shqipëria është shembull i shkëlqyer i tolerancës fetare, në këtë vend toleranca fetare është një virtyt shumë i madh apo edhe marrëdhëniet ndërfetare brenda vendit, asnjëherë nuk kane qenë ndonjë problem serioz” tha Berisha.Ai ka theksuar me tej se Shqipëria është shumë e angazhuar të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë ata që duan të angazhohen në këtë luftë për përmirësimin e shoqërive tona.Në fjalën e tij, ministri i jashtëm Aldo Bumçi ka rikonfirmuar kontributin e Shqipërisë në organizatë në fushën e tolerancës dhe mosdiskriminimit ndërsa ka rikujtuar hormoninë fetare që mbizotëron në Shqipëri.
"Shqipëria është një vend i cili krenohet me traditën shekullore të harmonisë fetare dhe tolerancës. Ajo përbën themelin e modelit shqiptar të bashkëjetesës në diversitet: një model i mishëruar gjatë Luftës së Dytë botërore në Shqipëri, kur qindra familje shqiptare, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, mbrojtën dhe strehuan me mijëra hebrenj që përballeshin me persekutimin. Kjo është një histori e kurajos dhe sakrificës njerëzore, e cila flet qartë e si një komb i vogël, por me zemër të madhe mund të bëjë ndryshimin në kohë të vështira. Prandaj, dialogu mes kulturave dhe qytetërimeve si dhe mbrojtja e harmonisë ndërfetare janë pjesë e pandarë e politikës sonë të jashtme. Po kështu, ruajtja e një mjedisi multietnik dhe multikulturor në Ballkanin Perëndimor është një prioritet i politikës sonë rajonale dhe përbën kontributin tonë kombëtar për avancimin më tej të paqes, stabilitetit e harmonisë rajonale" tha Bumçi.
Në këtë Konferencë do të shkëmbehen mendimeve rreth masave ndaj të gjitha formave të diskriminimit, përfshirë parandalimin dhe reagimet ndaj krimeve të urrejtjes.Edukimi i të rinjve me frymën e tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit ndaj diversitetit do të jenë në qendër të diskutimeve të Konferencës.