Qeveria miraton fondin e shpronësimit për rrugën Fier-Vlorë

Qeveria ka ndarë një fond prej rreth 111 milionë lekësh të vjetra për shpronësimet e banorëve që preken nga ndërtimi i superstradës Fier-Vlorë.Në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur shpronësimi i familjeve, shpronësim i cili do të kryhet me vlerën e tregut.“Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej  11 356 803 (njëmbëdhjetë milionë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e tre) lekësh, të përballohet nga llogaria e shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë.  Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban”, thuhet në pikën 4 dhe 5 të vendimit të qeverisë.Pronarët duhet të paraqesin dokumentacionin e plotë pranë Bashkisë së Vlorës, dhe brenda 30 ditëve Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të kryej matjet në terren.“Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuare”, thuhet më tej në vendim. /Ora News/