Azilkërkuesit shqiptarë shqetësojnë Holandën: Ikim nga varfëria!
Qeveria holandeze është vënë në alarm nga numri në rritje i azilkërkuesve shqiptarë dhe ka marrë masa konkrete për të kufizuar këtë fenomen.Sipas rrjetit investigativ BIRN, shqiptarët kanë vijuar që të kërkojnë azil edhe në muajt e parë të 2016 duke paraqitur si arsye kushtet e vështira ekonomike por edhe mungesën e shërbime shëndetësore.Nga të dhënat që ka siguruar BIRN, vihet re se numri i kërkesave nga azilkërkuesit shqiptarë në Holandë në javët e fundit ka kaluar numrin e aplikantëve sirianë.Nisur nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën e azilkërkuesve. Në dy muajt e parë të vitit, 480 shqiptarë kërkuan azil ndërsa sipas zyrtarëve holandezë, numri u shtua ndjeshëm në mars.Qytetarët shqiptarë citojnë si arsye të largimit nga Shqipëria mungesën e një pune dhe situatën e vështirë ekonomike si dhe mungesën e kujdesit shëndetësor dhe trajtimeve mjekësore.Zyrtarë qeverisë holandeze vizituan Tiranën në janar për të rënë dakord me qeverinë shqiptare për mënyra të reja të rikthimit të azilkërkuesve të refuzuar.Sipas BIRN, azilkërkuesit që tërhiqen vullnetarisht dhe pranojnë të kthehen në vendin e origjinës marrin deri në 3450 euro dhe biletën e kthimit. Teksa paga minimale në Shqipëri është vetëm 155 euro, tarifa shihet si shkak që të inkurajojë kërkesat për azil. /Ora News/