Pallati 12 kate pa leje, riarrestohen 4 nga 6 të akuzuarit e INUV Vlorë
Prokuroria e Apelit në Vlorë ka kërkuar riarrestimin të 6 zyrtarëve të Inspektoratit Urbanistik të qytetit të Vlorës, të cilët u liruan nga Gjykata e Shkallës së Parë atje, duke e konsideruar arrestimin të paligjshëm.Kështu, Gjykata e Apelit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 4 prej të akuzuarve, përkatësisht Edmond Aliaj, administrator i subjektit “Endriu 08”shpk. David Tushaj, me detyrë Kryeinspektor i INUV, Bashkia Vlorë, Besnik Karabolli, me detyrë Kryeinspektor i INUV (Qershor 2012- Nëntor 2014). Si dhe Oltian Bejo, me detyrë inspektor i INUV, Bashkia Vlorë.Ndërkohë, masa e sigurisë “detyrim me paraqitje është vendosur ndaj shtetasve, Marjol Mustafaraj, dhe Endri Zeneli, të dy inspektorë pranë INUV, Vlorë.Akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë me ndërtimin e një godine godine 6-11-12 kate pa leje nga ana e firmës “Endriu 008”, në lagjen “Pavarësia” në Vlorë.Drejtuesit e INUV nuk kanë ndërhyrë për të ndalur punimet, pavarësisht se firma nuk kishte leje përkatëse.Dosja e Prokurorisë për rastin:Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të dy qytetarëve, të dorëzuar në Janar 2016, sipas të cilëve firma e ndërtimit “Endriu 008” po ndërtonte një pallat të lartë, duke u zënë pronën e tyre. Prokuroria e Vlorës zhvilloi hetimet paraprake, nga ku rezultoi se kompania private kishte nisur punimet që prej vitit 2014, pa u pajisur me lejen e ndërtimit. Në bazë të dokumentacionit të mbledhur gjatë hetimit të këtij procedimi penal, rezultoi se Inspektorati Vendor Urbanistik (INUV) i Bashkisë Vlorë ka pasur dijeni për ndërtimin e këtij pallati dhe nuk ka kryer asnjë urdhërim për ndalimin e tij.INUV-i kishte dijeni për këtë pallat, jo vetëm për faktin që ndërtimi është i dukshëm, por edhe sepse në datë 12.05.2014, nga kryeinspektori pranë INUV Bashkia Vlorë është marrë vendim për pezullimin e ndërtimit, duke parashtruar se “subjekti Endriu 08 ka nisur punimet për ndërtimin e objektit banesë 6-11-12 kate pa njoftuar më parë INUV si dhe mungon dokumentacioni tekniko ligjor në kantier”. Megjithatë, punimet për ndërtimin e pallatit kanë vijuar pa asnjë pengesë nga ana e autoriteteve publike. Vendimi për pezullimin, por që nuk është zbatuar, është nxjerrë nga ana e Kryeinspektorit të INUV në atë kohë, i dyshuari Besnik Karabolli, i cili e ka mbajtur këtë detyrë deri në muajin nëntor 2014.Prej muajin nëntor 2014 e në vijim, në krye të INUV të Bashkisë Vlorë është emëruar i dyshuari David Tushaj, i cili gjithashtu nuk ka marrë asnjë masë pezullimi për ndërtimin e pallatit pa leje. Vetëm pasi Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin e këtij rasti (në dt. 05.01.2016), Kryeinspektori i INUV ka urdhëruar inspektorët në vartësi për të kryer sërish kontroll mbi subjektin “Endriu 008”, ku sërish ka rezultuar se ndërtimi i pallatit po vijonte pa lejen përkatëse. Me urdhër të tij, në datë 22.01.2016, kryeinspektori pranë INUV, Bashkia Vlorë ka marrë vendim për pezullimin e ndërtimit, duke parashtruar se subjektit “Endriu 08” i mungonte dokumentacioni tekniko ligjor në kantier.Në këto kushte, Prokuroria e Vlorës ka krijuar dyshime të arsyeshme se nga ana e zyrtavë të INUV, Bashkia Vlorë, janë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndërsa për administratorin e kompanisë së ndërtimit, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm”. /Ora News/