Zgjedhjet, misioni i ODIHR-it takime në Tiranë

Ekipi i vëzhguesve afatgjatë i kryesuar nga ekspertja amerikane Conny McCormak  ka nisur sot zyrtarisht misionin në Tiranë për t`u njohur nga afër me përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 qershorit.Në orën 10:00, misioni i ODIHR-it është takuar me ministrin e jashtëm Aldo Bumçi ndërsa në orën 11:00 me anëtarët e KQZ-së.Në takimin me ekipin e ODIHR-it, ministri Bumçi shprehu vlerësime për rolin e veçantë që luan ODIHR, me anë të instrumenteve të monitorimit, në ruajtjen dhe forcimin e sistemit demokratik të shteteve anëtare, duke respektuar kriteret themelore të demokracisë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut.Ai vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes ODIHR-it dhe Qeverisë Shqiptare, si dhe falënderoi znj. McCormack për reagimin në përgjigje të kërkesës që Qeveria shqiptare u ka drejtuar organizmave ndërkombëtare, OSBE/ODIHR-it, KiE-së, si dhe shteteve pjesëmarrëse të këtyre organizatave, për të dërguar numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve.Ndërsa Znj. McCornack, pasi falënderoi për ftesën dhe bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare bëri një prezantim të ekipit të Misionit të vëzhguesve të ODIHR-it të përbërë nga analistë politikë, ligjorë dhe zgjedhorë të ODIHR-it, të cilët i paraprijnë ardhjes së vëzhguesve afatshkurtër në Shqipëri.Ndërkohë në orën 15:00 ekipi monitorues i ODIHR-it do të kenë edhe komunikimin e parë me mediat ku do t`u përgjigjen edhe pyetjeve të gazetarëve.Ekipi monitorues fillimisht do të vëzhgojë fushatën elektorale, përfshi analizimin e listave të përpiluara për zgjedhjet si edhe zbatimin e legjislacionit dhe monitorimin e medias.Ndërkohë që ekipi i ODIHR-it kryesohet nga zonja McCormack e cila njihet për angazhimin mbi 25-vjeçar dhe ka spikatur në çështjen e regjistrimit dhe verifikimin e votuesve, përfaqësuesi i ekipit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, është parlamentari slloven Roberto Battelli.Ekipi i vëzhguesve të ODIHR-it dhe asambalesë parlamentare të OSBE-së përbëhet nga 15 ekspertë të cilët vijnë nga 14 shtete anëtare të OSBE-së, me seli në Tiranë, si dhe 30 vëzhgues afatgjatë, të shpërndarë në të gjitha rajonet. Ditën e zgjedhjeve ODIHR do të jetë në terren me mbi 430 vëzhgues.