Selimi përpara drejtësisë, "Sulltani" i Kosovës akuzohet për krime lufte
Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Shqipëri, dhe 16 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shumë shpejt do të përballen me akuza për krime lufte.Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovës, EULEX, ka nisur hetime kundër ish-Komandantit te Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i njohur me nofkën e luftës, "Sulltani" dhe gjashtëmbëdhjetë shokëve të tij.Nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve te hetuesve, të gjithë këta shtetas mund të arrestohen në muajin qershor.Një zyrtar i EULEX-it, në kushte anonime ka deklaruar për Indeksonline se Selimi dhe 16 pjesëtarë të tjerë, do të akuzohen për tortura, dhunim e keqtrajtim të popullatës civile gjatë kohës së luftës.Ai ka deklaruar se hetuesit e EULEX-it kanë intervistuar disa prej të dyshuarve dhe shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për këtë rast.“Sulltani” në kohën e luftës mbante pozitën e komandantit të UÇK-së, ndërsa pas luftës ka qenë komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Ai vitin e kaluar është emëruar nga kryeministri Hashim Thaçi, ambasador i Kosovës në Shqipëri.