Rezervat ushqimore drejt fundit në kufirin greko-maqedonas

Emigrantët e bllokuar në kufirin greko-maqedonas kanë pritur në radhë për orë të tëra në mënyrë që të marrin sasinë e ushqimit që shpërndahet nga organizatat humanitare. Autoritetet kanë dhënë alarmin se ndihmat janë drejt fundit dhe se shumë shpejt situata mund të dalë jashtë kontrollit.Emigrantët shprehen se janë të lodhur dhe se po qëndrojnë në kushte mjaft të vështira prej disa javësh. Në këtë kamp në Idomeni po qëndrojnë aktualisht 12.000 azil-kërkues.Moti i lagësht ka bërë që shumë prej tyre të vuajnë nga komplikacionet shëndetësore, ndërkohë që mjekët japin alarmin se mungesa e kushteve higjienike mund të çojë në përhapjen e sëmundjeve epidemike. Emigrantët thonë se nuk kanë asnjë plan dhe se ndihen mjaft të lodhur."Cili është plani? Nuk di çfarë të them, por asgjë nuk është mirë! Po presim këtu në shi, në të ftohtë dhe jemi sëmurë. Po na gënjejnë, të gjithë po na gënjejnë" janë fjalët e këtij emigranti.Azil-kërkuesit shpresojnë që samiti i radhës për emigrantët që do të mbahet në Bruksel përgjatë datave 17 dhe 18 mars të sjellë ndonjë lajm pozitiv për ta. Shumë prej tyre janë shprehur se në rast se nuk do të ketë një vendim për hapjen e kufijve ata do të kthehen pas në Athinë. Qeveria greke gjendet në një pozitë mjaft të vështirë, në kushtet kur kufinjtë janë mbyllur dhe qindra azil-kërkues mbërrijnë çdo ditë në ishujt helenë.