Zbogar: Jo vetëm Beogradi, por edhe Prishtina të bisedojë me veriun
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të vendosin komunikimin me serbët në veri dhe të mos ia lënë gjithë punën e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit në atë pjesë vetëm Serbisë.Zbogar, ka inkurajuar Prishtinën zyrtare që të provoj t’i bindë serbët e veriut se marrëveshja Prishtinë – Beograd është në të mirën e tyre.Këto komente, zyrtari i lartë evropian i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa.“Mendoj se nuk është vetëm Serbia ajo që duhet t’i bindë serbët në veri në lidhje me planin dhe marrëveshjen, ngase mendoj po ashtu se edhe njerëzit në Prishtinë duhet të vazhdojnë t’i inkurajojnë dhe mundohen t’i bindin ata se marrëveshja e arritur është në interesin e tyre”, ka thënë Zbogar.Zbogar është shprehur i bindur se Kosova dhe Serbia do të dakordohen rreth planit të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit midis kryeministrave Thaçi e Daçiç.Fillimisht presim marrëveshjen rreth planit dhe më pas edhe zbatimin në praktikë, ka thënë Zbogar.“Është një marrëveshje e rëndësishme. Zbatimi i saj do të jetë mjaftë kompleks, por është me rëndësi që të dyja palët të ndihen rehat me planin e zbatimit i cili do të jetë tejet i detajuar me afatet kohore dhe veprimet që duhet të ndërmerren në terren”, ka thënë Zbogar.Optimizmin e tij se delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë marrëveshje rreth planit të zbatimit ka shprehur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç.Ai u ka thënë medieve në Beograd se pret marrëveshjen qysh këtë javë.“Në Bruksel gati se çdo ditë aq shumë bisedohet dhe shpresoj se këtë javë do të vjen deri te përmbyllja e planit të zbatimit të marrëveshjes”, ka thënë Daçiç.Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi po i vazhdojnë edhe sot bisedimet në Bruksel në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiç rreth kompetencave të asociacionit të komunave serbe në Kosovë.