Daçiç e Vuçiç takim me serbët e Kosovës: Nuk dëshirojmë tu imponojmë marrëveshjen

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot se zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Prishtinën, pa pajtueshmërinë e serbëve të Kosovës, mund të sjellë pasoja të dëmshme.“Ne nuk dëshirojmë që me forcë ta imponojmë dhe implementojmë marrëveshjen”, u tha Daçiç gazetarëve në qeverinë e Serbisë, pas takimit me një delegacion të serbëve të Kosovës.Me tej ai theksoi se “Qeveria e Serbisë qëndron pranë vendimit të saj dhe në interes të Serbisë është që marrëveshja të realizohet”.Zoti Daçiç ka vlerësuar se bisedimet me delegacionin e serbëve të Kosovës ishin korrekte dhe se zbatimi i marrëveshjes duhet të bëhet në interes të “njerëzve të rëndomtë, të cilët i kanë vendet e punës dhe jetën në Kosovë”.Më herët një delegacion i serbëve të Kosovës është takuar sot në Beograd me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, dhe zëvendëskryeministrin e parë, Aleksandar Vuçiç.Pas takimit, anëtari i delegacionit, Jovica Badurica, tha se mbledhja në qeverinë e Serbisë ishte konstruktive dhe e dobishme, por nuk mund të thotë se është pranuar zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e raporteve Beograd-Prishtinë.“Për problemet konkrete duhet të merremi vesh në terren”, tha ai, pas takimit që zgjati dy orë e gjysmë.Sipas tij, përfaqësues të serbëve nga Kosova i kanë afruar qëndrimet lidhur me zbatimin e marrëveshjes, ndërsa Vuçiç u ka premtuar atyre se do të bëjë çdo gjë të mundshme, që serbët e Kosovës, pavarësisht se a jetojnë në jug apo veri të lumit Ibër, të fitojnë status sa më të mirë para zgjedhjeve në Kosovë.