Ministeriali i Brukselit vlerëson reformat e Shqipërisë në sektorin e energjisë

Komisioni Evropian vlerëson reformat progresive të ndërmarra nga qeveria shqiptare në sektorin e energjisë elektrike.Në takimin e Ministerialit të vendeve të Ballkanit Perëndimor  në Brusksel mbi Energjinë dhe Transportin, ku i pranishëm ishte dhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Johannes Hahn, Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë u përfaqësua në tryezë me zv.ministrin, Ilir Bejtja.Bejtja bëri një prezantim të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në sektorin e energjisë duke theksuar progresin në rritje dhe rezultatet e prekshme. Gjithashtu u raportua progresi dhe realizimi i angazhimeve të ndërmarra në Samit me qëllim vazhdimin me të njëjtin ritëm të reformave të ndërmarra.Bejtja gjithashtu theksoi se Ministria e Energjisë do të përmbushë të gjitha detyrimet ligjore që përfshijnë ligjet kryesore, organizimin e tregut, liberalizimin e tij, forcimin e rregullatorit të pavarur përpara Samitit të Parisit që parashikohet të mbahet në 4 Korrik 2016.Ministeriali i paraprin takimit të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet brenda këtij viti, në vazhdën e procesit të dialogut të nisur në Berlin dhe të vazhduar në Vjenë vitin e kaluar.Gjatë qëndrimit në Bruksel zv.ministri Ilir Bejtja zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kartës së Energjisë  Urban Rusnak. Gjatë këtij takimi u  diskutua mbi  aktivitetet dhe prioritetet aktuale në procesin e Kartës së Energjisë.Theksi u vu mbi konsultimet e vazhdueshme për krijimin e rregullave dhe parimeve të përbashkëta për Energy Transit, dhe rolin e rëndësishëm të Kartës së Energjisë në mbështetjen për të siguruar investimet e nevojshme në këtë sektor.Bejtja theksoi rëndësinë e Kartës së Energjisë dhe në veçanti në kontekstin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në lidhje me investimet e ardhshme të energjisë elektrike dhe të rrjeteve te gazit.Ai ftoi Sekretariatin e  Kartës së Energjisë të organizojë sëbashku me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë  një “Charter Forum” të nivelit të lartë të energjisë në Tiranë gjatë vitit 2016, gjë e cila u mirëprit prej Z. Rusnak.