Maqedonia nuk pranon kampe refugjatësh, Tusk: Nuk ju lëmë vetëm!
Presidenti i Këshillit Evropian, Doland Tusk qëndroi dje në Shkup, ku deklaroi midis të tjerash se Bashkimi Evropian nuk do ta lërë vetëm Maqedoninë në përballimin e krizës së refugjatëve.“Bashkimi Evropian e kupton gjendjen e rëndë, në të cilën ndodhen autoritetet në Shkup. Nuk mundemi dhe nuk guxojmë që t'i lëmë vetëm në këtë situatë të rëndë. Nuk ka alternativë më të mirë përveç se bashkëpunimit me Turqinë, përmes së cilës vjen numri më i madh i migrantëve”, deklaroi Tusk.Deklaratat e tij u bënë pas takimit me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Kreu i shtetit të Maqedonisë deklaroi se vendi nuk mund të shndërrohet në kamp refugjatësh.“Kërkojmë zgjidhje nga Këshilli i Evropës dhe nuk kemi kurrfarë interesi që e gjithë barra të bjerë mbi Greqinë, por nuk do të lejojmë që të realizohen zgjidhje të njëanshme, që do të shkojnë në dëm tonin. Ne do të bashkëpunojmë për tejkalimin e sfidave nga kriza me refugjatët”, ka thënë Ivanov, duke kundërshtuar mundësinë që në Maqedoni të ndërtohen kampe./Ora News/