Vrasja e të riut në Laç, në burg kushërinjtë Cara: Qëlluam për vetëmbrojtje

Arrest me burg është masa e sigurisë e dhënë për dy të rinjtë e dyshuar si autorë të vrasjes në oborrin e një lokali nate në Kurbin të 20- vjeçarit Ervis Zyba.Nën masa të rrepta sigurie, dy të rinjtë Elgert dhe Dorjan Cara, përkatësisht 19 dhe 25 vjeç jane paraqitur në sallen e gjyqit ku u është komunikuar edhe masa e sigurisë ndaj tyre.Ata nuk kanë komentuar gjatë se çfarë kishte ndodhur në orët e para të datës 25 shkurt, por ndërsa kanë pranuar se kanë shkëmbyer zjarr me viktimën Ervis Zyba dhe shokun e tij Xhevahir Lika me të cilin kishin patur konflikt, dy të arrestuarit kanë deklaruar se kanë qëlluar për vetëmbrojtje dhe se nuk kishin patur për qëllim vrasjen e Zybës.Ata kanë shtuar se qëllimi i takimit mes tyre ka qenë për të sqaruar konfliktin që kishin patur prej 1 viti, por ishin ndeshur me ofendimet e Likës dhe Zybës, e më pas edhe të shtënat e armëve të tyre.Pas ngjarjes ata janë larguar për t’iu shmangur hakmarrjes, ndërsa janë vënë në pranga vetëm 1 ditë më vonë.Hetimet e policisë bënë të ditur pas krimit se konflikti ka qenë mes shtetasve Xhevahir Lika dhe Elgert Cara, ndërsa viktima Ervis Zyba ishte shok i Likës.Këta dy të fundit kishin shkuar sëbashku në një lokal me muzikë live.Pasi kanë qëndruar më shumë se 4 orë brenda lokalit ata kanë dalë jashtë dhe kanë hipur në automjetin e tyre tip Mercedez Benz me targa AA898MR për të larguar.Në atë moment u janë afruar shtetasit Elgert dhe Dorjan Cara, të cilët janë konfliktuar me shtetasin Xhevahir Lika.Të dy palët kanë qenë të armatosur dhe në debat e sipër, shtetasi Elgert Cara ka qëlluar me armë automatike, ndërsa shtetasi Dorjan Cara ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të mjetit ku ishin Xhevahir Lika dhe viktima Ervis Zyba.Shtetasi Xhevahir Lika është kundër përgjigjur me armë zjarri pistoletë.Nga ky shkëmbim zjarri mbeti i vrarë 20 vjeçari, Ervis  Zyba.