Projekti i Bashkisë për parkun tek Liqeni, Ora News sjell opinione pro dhe kundër
Bashkia e Tiranës ka prezantuar publikisht nëpëmjet një video-je projektin e këndit të lojërave në parkun e Liqenit Artificial. Ky projekt është shoqëruar me debate të analistëve, prindërve, përfaqësuesve të shoqërisë politike dhe civile duke ngritur si shqetësim prerjen e pemëve, mungesën e transparencës për projektin e përzgjedhur. Një pjesë të shqetësimeve kryebashkiaku Veliaj u është përgjigjur në rrjetin social Facebook.Erion Veliaj ka vënë një bast publik me banorët e Tiranës që në 1 Qershor fëmijët do të kenë parkun e tyre të lojërave.Për ta përfocuar bindjen e tij, në një kohë kur kanë filluar zërat kundër ngritjes së këtij parku te Liqeni Artificial, ka publikuar një video të projektit të miratuar nga Bashkia.Shqetësimet e shprehura publikisht të analistëve, prindërve, përfaqësuesve të shoqërisë politike dhe civile kanë në qendër prerjen e pemëve, mungesën e transparencës për projektin e përzgjedhur, koston dhe përfituesit e tij.Drejtori i Urbanisitikës këmbëngul se nuk ka ndërtime si pjesë e këtij projekt, as kafe dhe lokal për mikun e Veliajt.Tabaku: Është kafja dhe restoranti, sigurisht që do ti jepet klientit të rradhës.Përfaqësuesi i Bashkisë: Nëse mund të vijë dikush tek kjo hartë e projektit dhe të na tregojë se ku është kafja, ku është restoranti, ku është dera dhe ku paguhet bileta, bujrum të na e shpjegojë.Qëndrimet politike duken se i kanë ndikuar tashmë qytetarët, pavarësisht shpjegimeve në daljet publike.Edmond Tupe: Nuk ka park lodrash, hapësirë të gjelbër me bar, me tokë, me shkurre dhe park lodrash nuk shkojnë bashkë. Por frika ime gati 15 vjeçare, mos më tepër, është që një ditë të bukur me sa duken bathët, parku do të zhduket, liqeni do të thahet dhe aty do të mbijnë kërkudhat 10-15 katëshe.Edmond Tupja, një baba i përkushtuar argumenton se në një park nuk duhet të ndërhyhet, ndërsa gazetari Erion Kristo është në anën që duket se kanë pjesa më e madhe e prindërve në këtë debat.Fëmijët duan një kënd lojërash dhe jo lojëra politike.Erion Kristo: Në asnjë mënyrë ideja që këtu po priten pemë u bëka nami, këtu po priten njerëzit si pemë dhe nuk po bëhet nami fare. Njerëzit nuk duhet të fiksohen në detaje pavlerë, duhet të fiksohen në atë që quhet e mira më e madhe e fëmijëve.Parku ka plot pemë dhe parku ka nevojë për një infrastrukturë që jo vetëm ta shikojmë parkun, por edhe ta shijojmë parkun.Këndi i lojërave ka një kosto prej 65 milion e 270 mijë lekë pa TVSH, financim i Bashkisë së Tiranës dhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.Si një përdorues i zellshëm i rrjeteve sociale Erion Veliaj ka zgjedhur që edhe këtë furtunë debati ta kalojë duke i dhënë përgjigje kundërshtarëve të projektit.Disa prej komentuesve të cilët kanë marrë përgjigje nga adresa që mban emrin e Veliajt kundërshtojnë dhe pyesin përse ky pojekt nuk është konsultuar përpara se të miratohet.