BSH, apel qeverisë: Reformat, kusht për rritjen ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka apeluar sërish qeverinë për zbatimin e reformave strukturore, të cilat sipas tij, do të jenë kusht për rritjen ekonomike. Sipas Sejkos, kreditimi pritet të rritet këtë vit, por ekonomia reale ka problem, që lidhen me zhvillimin e saj nën potencial dhe me gjenerimin e vendeve të punës.Ndërsa pritshmëritë janë për një rigjallërim të rritjes ekonomike këtë vit, në 3.4% Banka e Shqipërisë gjykon se kjo do të varet shumë nga reformat strukturore të qeverisë.Guvernatori Gent Sejko ka deklaruar se ekonomia reale ka probleme dhe mënyra sesi ato do të adresohen nga qeveria, do të jenë përcaktuese për të ardhmen.Sejko: Inflacioni vazhdon të qëndrojë nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Kjo ecuri ilustron faktin se punësimi dhe shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve të prodhimit mbeten poshtë nivelit të tyre potencial. Ajo nënvizon gjithashtu nevojën e ndjekjes së politikave ekonomike stimuluese në afatin e mesëm. Dëshiroj të ritheksoj nevojën për vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore. Këto reforma janë instrumenti i vetëm për të zhvendosur ekonominë në një plan më të shpejtë rritjeje, por edhe instrumenti parësor i forcimit të qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit.Banka e Shqipërisë parashikon këtë vit një rritje të kreditimit, bazuar në tre faktorë: normat e ulëta të interesit të huave, tërheqjen e qeverisë për të gjetur financime nga bankat vendase dhe pritshmëritë për uljen e mëtejshme të nivelit të kredive me probleme. Sejko: Rritja ekonomike në këtë periudhë pritet të mbështetet nga përmirësimi i kushteve të financimit dhe nga gjallërimi i kreditimit. Kjo pritje reflekton kombinimin e një sërë faktorësh.   Së pari, kahu i fortë stimulues i politikës tonë monetare ka sjellë normat e interesit në tregjet financiare në minimumet e tyre historike. Banka e Shqipërisë vlerëson se këto norma do të vazhdojnë të mbeten poshtë mesatareve të tyre historike edhe gjatë dy viteve të ardhshme.   Së dyti, emetimi i Eurobondit ka sjellë reduktimin e huamarrjes publike në tregjet e brendshme financiare. Kjo ka shkaktuar një ulje të mëtejshme të normave të interesit – edhe përtej sinjaleve të dhëna nga politika monetare – duke ndihmuar në rritjen e stimulit monetar në ekonomi. Në përputhje me planin buxhetor afatmesëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi i këtij faktori do të jetë i pranishëm edhe gjatë 2 viteve në vijim.    Së treti, zbatimi i programit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të ndihmojë në lehtësimin e standardeve të kredisë dhe në rritjen e ofertës së kredisë bankare.Pasi ka analizuar ecurinë e ekonomisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar në 1.75% normën bazë të interesit për lekun./Oranews.tv/