Toponimet, PDIU-opozitës: Shpikje e Greqisë, dilni nga presioni i Dules

Partia për Drejtësi dhe Integrim ka reaguar lidhur me diskutimet në seancën e sotme plenare për toponimet, duke e vlerësuar një sinjal të keq për tërheqje nga kërkesat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë. Përmes një deklarate për mediat, PDIU u bën me dije deputetëve opozitarë që sipas saj mesa duket ata kanë harruar kujt i shërbejnë nën presionin e PBDNJ-së së Vangjel Dules dhe të lëvizjeve të reja antishqiptare se çështja e toponimive në fakt nuk ekziston.“Qendrimi zyrtar i sotshëm i shprehur në Kuvend nga disa deputetë për çështjen e problemit të toponimeve në dokumentet shtetërore shqiptare në raport me shtetin grek, është i papranueshëm dhe një sinjal i keq për tërheqje nga kërkesat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë. Ashtu sikurse e kemi bërë të ditur, pa tabu, edhe ndaj ish ministrit të Jashtëm të vendit tonë, z. Edmond Haxhinasto, çështja e toponimeve është kthyer në çështje politike nga shteti grek, si hakmarrje ndaj ngritjes së çështjes çame në raportet shqiptaro-greke, dhe si pasojë duhen gjetur rrugë zgjidhjeje në bazë të konventave ndërkombëtare dhe jo me tërheqje përballë orekseve të pavendta të shtetit grek. Dëshirojmë të bëjmë me dije deputetëve në fjalë, që me sa duket kanë harruar kujt i shërben nën presionin e PBDNJ-së së Vangjel Dules dhe të lëvizjeve të reja antishqiptare që nën pretekstin e zgjidhjes së çështjes çame janë bashkuar me ta në koalicion, se çështja e toponimive në fakt nuk ekziston. Nuk duhet harruar se kur shteti grek filloi të kthejë shqiptarët e Çamërisë në kufi, fakt që opozita faktkeqësisht e ka harruar tashmë dhe nuk e ka përmendur asnjëherë deri më sot, arsyetimi i palës greke ishte se këta ishin “persona non grata”. Vetëm pasi mori përmasa një fenomen i tillë dhe arriti në atë pikë sa 8 në 10 persona të kthyer ishin “persona non grata” çka solli reagim ndërkombëtar, Greqia gjeti pretekstin e toponimive në gjuhë shqipe për qytete greke. Por edhe ky argument nuk qëndron. Së pari, i vetmi autoritet që ka të drejtën e vlerësimit të vlefshmërisë apo jo të një dokumenti udhëtimi është autoriteti lëshues, në këtë rast, shteti shqiptar e përkatësisht Ministria e Brendshme; pala pritëse ka të drejtë vetëm të vlerësojë nëse personi mbajtës i dokumentit është i njëjtë me personin e identifikuar në dokument. Asnjë shtet nuk mund të ndëryjë në punët e brendshme të një shteti tjetër dhe të marr kompetencat e autoritetit që lëshon pasaportën. Pasaporta është pronë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vetëm ajo ka të drejtën që të njohi vlefshmërinë apo jo të sajën” deklaron PDIU.Së dyti, PDIU shprehet se toponimet kanë një veçori që mund të jenë me terma të ndryshëm edhe brenda vetë një shteti, e jo më ndërmjet kombeve të ndryshme. “Nuk kemi dëgjuar deri më sot, që autoritetet tona kufitare kanë refuzuar kalimin në kufi të askujt që ka pasaportë greke e ku vendlindja shkruan Konstandinupoli dhe jo Instambul, apo Smyrni dhe jo Izmir. Nuk ka pasur asnjë rast ku një Italian i lindur në Këln të Gjermanisë është diskriminuar pse e ka në dokumente Kolonia. Argumentet e këtij niveli janë të ulët, të papranueshëm dhe mbi të gjitha qesharakë”.“Së treti, mashtrimi publik se Greqia paska institucionalizuar toponimet e saj në OKB, është hedhur tashmë poshtë, fatkeqësisht jo prej reagimit të shtetit shqiptar, por prej demantimit të kryer prej një grupi ekspertësh pranë PDIU-së. Dokumenti i dorëzuar nga Greqia në OKB, në nënkomisionin për toponimet gjeografike nuk ka fuqi ligjore, sipas vetë këtij komisioni. Për më tepër, Greqia ka dorëzuar aty edhe një dokument që thotë se Shqipërinë e njeh si Allvania dhe Tiranën si Tyranna, do të thotë kjo që duhet t’i shënojmë në pasaporta kështu, meqë e dashka Greqia?” deklaron më tej PDIU.Në këto kushte, kjo parti apelon politikën shqiptare, të mos zbrapset për shkak të qëndrimeve të pavendta të palës greke, ndërsa garanton se do të vijojë të ndjeke me vëmendje dhe ndjeshmëri zhvillimet dhe si gjithnjë do të ndërhyjë në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi.