Debate Berisha-Ruçi në Kuvend, Berisha: Komision hetimor për incidentin në Vjenë

Vizita e Kryesocialistit Edi Rama në Vjenë dhe incidenti me diplomatin shqiptar të akredituar atje ka sjellë debate të ashpra mes Kryeministri Berisha dhe kreu të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi. Nga foltorja e Parlamentit, kreu i qeverisë ka kursyer komentet lidhur me listën e gjatë të projekligjeve të përfshira në rend dite, duke u fokusuar terësisht në incidentin mes Ramës dhe diplomatit Egin Ceka, lajm ky që u publikua gjatë ditës sotme nga disa agjenci lajmesh shqiptare. Duke e cilësuar agresionin si dhunë shtazore dhe rrugaçëri, një akt të paprecedentë në historinë e politikës shqiptare, Berisha shprehu angazhimin e tij për ngritjen e një Komisioni hetimor parlamentar në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësve të saj.“Për të faktuar të gjitha këto, se ai humbet cdo kontroll, për të faktuar se ai ka probleme të rënda psiqike ose overdozash cafrë e faktoi në akademinë e Vjenës. Jemi gati të sjellim në parlament jo 1 por 30 dëshmitarë nëse doni. Është prekur diplomacia me dhunë. Do krijojmë komision hetimor. Jeni të pashpresë, ju ka heq nga lista . Ditën e hënë ky parlament voton Komisionin hetimor parlamentar për të hetuar aktin e paprecedentë, të turpshëm amoral që ska ndodhur kurrë, akti i agresionit të një diplomati të ri nga kreu i opozitës. Ditën e hënë do votohet komisioni, edhe më shumë nga reagimi juaj, ai ju tërheq ju nga humbja në humbje, nga disfata në disfatë. Kryeministri do përdor të drejtën kushtetuese për të thirrë në cdo kohë parlamentin për të ngritur Komisionin. Kur ju rraf ju, ju sflisni se kërkoni lista, ai ska kërkuar lista” tha Kryeministri.Menjëherë pas tij ka replikuar kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci,i cili deklaroi se kryetari i opozitës është provokuar nga diplomati i oborrit të Berishës. Në vazhdim të argumentit të tij, ai shtoi se askush smund të imagjinojë që një kryetar opozitë të provokohet nga një diplomat i vendit të tij jashtë kufinjve të Shqipërisë dhe lidhur me këtë akt sipas Rucit, Kryeministri para se ti dilte në mbrojtje duhet të kishte bërë menjëherë shkarkimin e tij.“Mendova se do shprehte ndonjë problem që ka vendi. Qeveria dhe kryeministri në ikje po nxitohen për të dhëne me koncesione aktivitete të dështuara deri tani që edhe nesër në opozitë përmes këtyre konsencionarëve të rrjepë qytetarët shqiptarë. Sot synoi me vrap të kapë dhe konsolidojë shumicën në KLD, duke cuar Lulin në KLD dhe familjen e tij në KQZ. Këto janë të mbulohesh me gjethen e fikut Kryeministër se ligji nesër në institucione të kapura prej teje do vendoset, imuniteti politik dhe juridik i politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar do të marrë fund. Vjen dhe anatemon sot liderin e opozitës, nuk duhet të deklarojë këtë qëndrim por duhet të shkarkoje nga detyra diplomatin. Ai është lider i opozitës dhe shkoi në një shtet dhe e priti kreu i atij shteti që zotëria juaj lutet tash tre vjet që të të presë dhe spo e bën dhe zhvilloi një aktivitet në Akademinë Dilomatike për të shprehur vizionin e PS për diplomacinë. Me të drejtë Rama dënoi nepotizmin, mungesën e profesionalizmit. Ky djali është diplomat në Vjenë dhe i ati kryediplomat në Romë. Ai madje s’ka vajtur fare se skishte vend të hynte. Nëse do ishte tamam diplomat do duhet të kishte dalë ta priste, të ishte me të gjatë takimeve. Askush smund ta imagjinojë që diplomati të provojë përfaqësuesin e opozitës të vendit të tij. E vetmja gjë që mund të bëjë ishte ti kërkoje falje Edi Ramës dhe ta shkarkoje nga detyra atë diplomat karriere sic po e cilësoni. Është për të ardhur keq por fatmirësisht vetëm 2 muaj keni dhe ata udhëheqës do vinë nesër do ti vënë gjërat në vend” u shpreh Ruci.Në kundërreplikë Kryeministri iu përgjigj Rucit se primarja e gjithë primareve është respektimi dhe ruajtja e integritetit të njeriut. Duke iu referuar takimit të Ramës me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, Kryeministri nuk kurseu ironinë nda lidershipit të selisë rozë duke u shprehur se Rama iku të vërë vetullat dhe la dhe sytë. Sipas kreut të mazhorancës mesazhi i Zannnierit ishte i qartë, “plotësoni vendet e bosh në KQZ”.“Në cdo rrethanë integriteti i njeriut mbetet mbi gjithcka. Është e vërtetë që su ndala në ligjet ndonëse ato kanë një rëndësi shumë të madhe , shënojnë etapa të reja në modernizimin e këtij vendi, por agresioni publik i një diplomati të akredituar në një vend mik nga kryetari i opozitës përbën aktin më të rëndë, të paprecedentë, më të turpshëm që i ka ndodhur ndonjëherë politikës dhe diplomacisë shqiptarë. Në respekt të liderit të opozitës jo të personit qeveria ime me ardhjen në pushtet i garantoi me ligj statusin e Ministrit, praktikë e avancuar vetëm e disa vendeve. I ka garantuar të gjithë mbrojtjen dhe e vërteta është se Ministrat se kanë kryetari i opozitës e ka dhe do ta ketë. Pse i ndërron ai badigardët për arsye që ju i dini vetë dhe në cdo rast për secilin prej jush diplamtët kanë një porosi të prerë, tu ofrojnë ato shërbime që mund tu ofrojnë. Unë mund të them se sot ka disa ambasadorë të emëruar nga qeveria juaj. Por dua të them se të lejosh grushtin kundër këtij diplomati përbën aktin më të turpshëm. Ata shkuan aty pasi ftesat janë shpërndarë në të katër anët, jo vetëm në Vjenë por dhe në Shqipëri, por ku ke të drejtë të thuash se si shkuan ata. Por dhe po mos të ishin njoftuar ata duhet të jenë në shërbim të liderit të opozitës. Nuk kanë bërë asnjë pyetje, ju thoni bënë këtë dhe atë, ndaj do jetë komisioni hetimor. Por prekja e tjetrit me status diplomatik përbën një vepër të rëndë penale. Ai përbën një nga familjet me kryqëzim ndër më të mrekullueshmet, është stërnip i Petro Nini Luarasait dhe është nipi i Migjenit. Mos hyjmë në biaografi. Të gjitha këto do ti sqarojë Komisioni hetimor se ai nuk është i braktisur dhe as jetim. Meqë më kujtove Zannierin, Sekretarin e përgjithëshëm të OSBE e përshëndet dhe e falenderoj se i kërkoi publikisht dhe botërisht plotëso vendet në KQZ, nuk më takoi mua ai , ai vjen për të më takuar në zyrë. Rama shkoi për të vënë vetullat dhe la dhe sytë.” tha më tej Berisha.Kreu i qeverisë akuzoi PS se i ka përdorur komisionerët në KQZ, si placka e skllevër.“Sot doja t’ju ngreja në këmbë për atë që unë e quaj vdekje politike. T’ju ngreja në këmbë për vdekjen politike për Jani Janin. Trajtuat si plaçkë një specialist, një intelektual, një ekspert. Mos kujtoni se do e kaloni lehtë se këtu do vijnë votimet, se i shndërruat komisionerët në plackë tregu, në skllevër, në hiç-a, por bëni çtë doni, po të doni plotësojini, po të doni kurrë mos i plotësoni! Por në 23 qershor do përfundoni jashtë ringut, nok out, njëherë e përgjithmonë”u shpreh ai.I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili tha se duke e krahasuar ditën e zgjedhjeve me një ring boksi, Berisha dëshmon se nuk ka ndryshuar aspak në raport me zgjedhjet.“Me fjalinë e fundit që the se 23 qershorin e mendon ring boksi vërtetove se ti mbetesh i pandryshuar me zgjedhjet. E dyta duke të dëgjuar për djalin e Neritan Cekës që i bëre biografinë më vajti mendja te një fjalim i Neritan Cekës, “Në polikë ka sojlli dhe sojzi”. Të parin e kishte për veten, me këtë të dytën të quante ty” u kundërpërgjigj Ruci.“Ndaj dhe duhet vërsulur mbi të me grushta. Por kjo sdo kalojë me kaq, se është punonjës i këtij shteti, do marrë të gjitha përgjegjësitë për aktin vandal” theksoi Kryeministri.Menjëherë pas kësaj opozita la sallën e parlamentit, ndërsa në seancë u votuan me votat e mazhorancës dekretet e Presidentit Nishani për  emërimet në gjykatën e lartë, në atë kushtetuese dhe në këshillin e  lartë të drejtësisë. Po kështu mazhoranca kaloi me votat e saj edhe një sërë projektligjesh të rëndësishme.