Nevoja e besimit tek opozita

Edi Rama e kishte të vështirë ta fshihte bezdinë të martën në mbrëmje vonë, ndërkohë që aleati i tij më i ri Zef Bushati nuk po dinte t’i vinte pikë fjalisë. Ish-aktori iu shtua trupës elektorale të opozitës dhe kryetari i PS, partisë nënë, duhej t’i bënte ballë tundimit për t’ia ndërprerë fjalën me atë shprehjen e famshme të filmit, “ha gjizë, Agush”. Pasi ka pranuar de facto pafuqinë e vet për të mundur Sali Berishën, dhe me dyshimin e madh për impaktin që ka patur te militantët e PS bashkimi i tij me Ilir Metën, Rama është i detyruar të durojë e pranojë gjithçka që do t’i siguronte epërsi ndaj kryeministrit. Rasti i fundit ishin koalicionet zgjedhore, ku treni i Ramës, bashkë me Zefin, bëhej 15 vagonë më i gjatë se ai i Berishës.Fakti sasior se PS ka më shumë parti aleate sesa PD, u interpretua nga Rama si avantazh i opozitës në raport me mazhorancën në zgjedhjet e 23 qershorit. Mund të dalë edhe kështu, por problemi kryesor që ka opozita sot nuk është sajimi i një treni kaotik elektoral, por ndërtimi i besimit te zgjedhësit se, pavarësisht aleancës së detyruar me një pjesë të qeverisë, pushteti i ardhshëm do të jetë ndryshe nga i sotmi. Opozita nuk vuan sot për disa grushte votash që do të sjellin partitë e vogla, por nga rreziku i refuzimit apo rrjedhjes të shumë më tepër votave pas paktit shijeprishur Rama- Meta. Nëse bashkimi me LSI-në u pranua si e vetmja mundësi për të mundur Berishën, votuesit kanë nevojë të binden se pas kësaj nuk do të vazhdojë i njëjti model qeverisjeje. Vota kundër është e rëndësishme, por jo gjithnjë është e mjaftueshme për të bërë ndryshimin. Deri tani, Rama dhe Meta po bëjnë shumë pak për t’u dëshmuar apo për t’u dhënë garanci votuesve se bashkimi i tyre nuk është thjesht një matematikë personale për të ardhur në pushtet. Të mbërthyer te numrat duket se as nuk e ndjejnë nevojën të investohen tek besimi. Ndihen më të sigurt me shtimin e vagonëve sesa me orientimin e lokomotivës që drejtojnë. Ndoshta këtë dinë të bëjnë më mirë, janë më të aftë të menaxhojnë sesa të drejtojnë. Këtë kanë bërë në vitet kur Meta ishte kryeministër dhe Rama kryetar bashkie, këtë po bëjnë edhe tani edhe asgjë më shumë nuk do mund të bëjnë nesër.Ata që votojnë duan prova që Rama dhe Meta jo vetëm do të ndryshojnë modelin e qeverisjes aktuale, por edhe se nuk do të rikthejnë modelin e tyre të viteve 2000. Modelin kur nuk qeveriseshin qytetarët, por qeveriseshin interesat. Kur treni mediatik u stërmbush me vagonë që i bënin fresk qeverisë e bashkisë. Kur qeveria u dënd me zëvendësministra që kishin dhënë votën në KPD. Kur çdo pjesë e pushtetit ndahej si shpërblim dhe jo si meritë. Kur aleancat prisheshin për shkak të pazareve dhe jo të parimeve.Prandaj për të fituar ndaj mazhorancës aktuale dhe për të tejkaluar vetveten, Rama dhe Meta duhet të bindin më shumë. Jo me numra partish aleate, por me emra kandidatësh të spikatur në listat e tyre që do të jepnin garanci për integritet politik e moral në qeverisjen e ardhshme. Kjo do të ishte një provë që do të amortizonte edhe efektet e bashkimit mes tyre. Por deri tani, dy drejtuesit e majtë nuk po shkojnë në këtë drejtim. Si dikur, po zgjedhin fasadën në vend të thelbit, numrat në vend të besimit, interesin në vend të ideve. Evituan të përballen me problemin e madh që shkaktoi bashkimi PS- LSI dhe tentuan ta kalojnë me deklaratat e disa socialistëve europianë dhe fasadën ballkanike të show-t në Shkodër. Ngërçin me përzgjedhjen e kandidatëve po kërkojnë ta kalojnë me shtimin e partive aleate. Ndërsa joshjen e këtyre të fundit dhe të pakënaqurve eventualë, me propozimin për një qeveri jashtë parlamentit. Pra, kush nuk do të jetë apo zgjidhet deputet, bëhet ministër.Këto llogari e taktika mbase i bëjnë të ndihen të sigurt dy liderët e majtë se do të fitojnë në 23 qershor. Mund të jenë të bindur që në këtë vend nuk kanë rëndësi besimi, idetë dhe modeli që ofrohet. Ndoshta kanë të drejtë, por atëherë për çfarë votohet? Vendimet personale të dikujt për t’u bashkuar me dikë do të sillnin edhe ndërrimin e pushtetit dhe për rrjedhojë gara elektorale nuk do të kishte më kuptim. E megjithatë, përvoja ka treguar se mbledhja e numrave në kundërshtim me logjikën politike nuk mjafton ose zgjat pak. E kanë përjetuar edhe vetë Rama e Meta gjatë katharsisit të Fatos Nanos kur me numra ishin më të fortë se kurrë. Nëse nuk e kanë kuptuar pse humbën, atëherë do ta kenë të vështirë të fitojnë sot. Ndërtimi i besimit nuk duhet shkelur edhe kur në tren udhëton Zef Bushati.