Mbyllen konsultimet publike, një grup ekspertësh javën tjetër në Komisionin e Venecias

Përmbyllet faza e procesit të konsultimeve publike mbi projektamendamentet kushtetuese. Javën tjetër më datën 17,18,19 një grup përfaqësues i komisionit të ekspertëve të nivelit të lartë do të shkojë në Venecia për konsultime paraprake në vazhdimësi.“Të jeni të bindur për një gjë. Fjalët e para nga Komisioni i Venecias do t’i dëgjoni nga grupi i ekspertëve, jo nga politikanët. Deri atëherë unë nuk mund të them asgjë” tha Kristaq Traja një nga ekspertët.Të gjitha vlerësimet, rekomandimet dhe sugjerimet e bëra gjatë procesit të konsultimit publik janë dokumentuar nga Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm dhe janë vënë në dispozicion të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.Këto çështje bashkë me vlerësimet e Komisionit të Venecias që priten të bëhen publike së afërmi, do të përbëjnë bazën për rishikimin e projektamendamenteve kushtetuese. Ekspertët shtuan se projekti që është i botuar dhe i shtypur është paraqitur për konsultë publike dhe ky konsultim do të mbarojë ditën që projekti do të miratohet.Deri atëherë nuk ka limit për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në përmirësimin e projektit. Ku kanë qenë më shumë kritikat dhe shqetësimet:- Shqetësimet lidhur me numrin e madh të institucioneve të reja ose me riformatimin e atyre ekzistuese;- Nevoja për më shumë saktësi lidhur me kriteret përzgjedhëse për kandidatët në organet kushtetuese;- Paqartësitë mbi rolin e Gjykatës Kushtetuese në kontrollin e amendamenteve kushtetuese;- Shqetësimet lidhur me rolin e Ministrit të Drejtësisë në disa prej institucioneve të sistemit;- Shqetësime lidhur me organizimin e gjykimit administrativ në dy shkallë;- Propozime për forcimin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve;- Nevoja për më shumë qartësi lidhur me decentralizimin e sistemit të prokurorisë;- Shqetësimet e ngritura mbi procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.Konsultimi publik u zhvillua gjatë dy fazave të para të veprimtarisë së Komisionit të posaçëm për Analizën e Sistemit të Drejtësisë dhe Strategjisë, vijoi në periudhën 13 Nëntor–7 Dhjetor 2015, filloi sot, me diskutimin e projekt-amendamenteve kushtetuese.Gjatë kësaj periudhe u organizuan 19 tryeza me qëllim informimin dhe marrjen e mendimeve dhe sugjerimeve lidhur me amendamentet e propozuara nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë. 4 tryeza të konsultimit publik u zhvilluan në Tiranë, dy prej të cilave në kujdesin e vecantë dhe me bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë.6 të tjera, u zhvilluan në qendrat e rretheve më të rëndësishme gjyqësore, me pjesëmarrjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe profesionistëve të tjerë të sektorit të drejtësisë. 9 tryeza u zhvilluan në institucionet e arsimit të lartë juridik publik dhe privat me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve dhe të shoqërisë civile.Një hapësirë e posaçme u është kushtuar në cdo tryezë ekspertëve të propozuar nga opozita, të cilët kanë pasur mundësinë të parashtrojnë sugjerimet dhe rekomandimet e tyre për projektamendamentet kushtetuese.Në këto tryeza morën pjesë rreth 1300 pjesëmarrës nga radhët e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, noterëve, përmbaruesve, pedagogëve dhe studentëve të Fakulteteve të Drejtësisë dhe studentëve në Shkollën e Magjistraturës, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të Presidentit të Republikës dhe institucioneve të tjera të Sistemit të Drejtësisë (Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë etj).Në të gjitha veprimtaritë e konsultimit publik morën pjesë dhe ofruan mbështetje për procesin e reformës dhe domosdoshmërinë e saj, partnerët ndërkombëtarë të vendit tonë, Ambasadori SHBA-ve, Ambasadorja e Delegacionit të BE-së, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, ambasadorë të shteteve të Bashkimit Europian, Zëvendës Sekretari i shtetit, në Byronë për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Narkotikët, pranë Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.