Ligji i ri për Bashkitë, Veliaj: Punonjësve t’u hiqet statusi i nëpunësit civil

Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkon heqjen e statutit të nëpunësit civil për punonjësit e administratës vendore, si një mënyrë për të larguar militantët që mbrohen nga ky ligj. Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë që punonjësit të përzgjidhen në bazë të meritës dhe performancës. Këtë kërkesë, kryebashkiaku i Tiranës e bëri në emër të Shoqatës së Autonomisë Vendore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku u zhvillua seanca dëgjimore per projektligjin e ‘vetqeverisjes vendore”.Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në emër të Shoqatës së Autonomisë Vendore ka kërkuar heqjen e statusit të nëpunësit civil për punonjësit e bashkive, me argumentin se administrata vendore duhet të pastrohet nga militantët. Kërkesën ai e paraqiti në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku u zhvillua seanca dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin e “Vetqeverisjes Vendore”.Erion Veliaj: “Na bëhet e pamundur puna me administrata të fryra politikisht. Nuk bëhet kjo punë me bodyguard që i mbron statusi i nënpunësit civil kështu që do ta çmonim shumë që në shumë prej kompetencave të ishin dorë të lirë.”Përsa i përket decentralizimit që synon ligji i ri, Veliaj kërkoi që të ketë një radhë prioritetesh në kompetencat që delegohen.Erion Veliaj: “Më mirë do të preferonim të menaxhonim zonat urbane ku detyrohemi shpesh të flasim me qeverinë qëndrore për mbylljen e zhurmës në një lokal dhe është shumë e çuditshme t’i shpjegosh qytetarëve se si niveli i ndotjes akustike është kompetencë e qeverisë qëndrore por menaxhimi i një pylli 40 km larg qendrës së Tiranës është i qeverisë vendore.”Komisioni i Ligjeve miratoi edhe marrëveshjen e kredisë 60 milionë euro që Fondi Abu Dhabi do të japë për financimin e projektit të Bulevardit, nga stacioni i trenit deri në afërsi të Paskuqanit dhe rehabilitimin e 8 km të lumit Tirana.Ky investim u diskutua edhe në Komisionin e Jashtëm, ku nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku theksoi se punimet do të zgjasin deri në 12 vjet, ku procesi më i vështirë vlerësohet të jetë ai i shpronësimeve./Oranews.tv/