Jahjaga e Mustafa flasin për zgjidhjen e krizës politike
Pas liderëve opozitarë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka pritur në takim kryeministrin Isa Mustafa, me të cilin ka biseduar rreth gjetjes së një zgjidhje për situatën politike.Pas takimit, Isa Mustafa në një prononcim të shkurtër ka thënë se e mirëpret iniciativën e Presidentes për zgjidhjen e krizës politike në vend.Mustafa nuk ka dhënë detaje nëse ka përafrim qëndrimesh mes pozitës e opozitës, mirëpo ka thënë se ftesa e tij për partitë opozitare mbetet dhe është në fuqi."Ne me presidenten kemi kontaktet ë rregullta për të gjitha çështjet. Biseduam edhe në lidhje me nismën e saj e cila ka qenë edhe më parë për të gjetur një rrugë-zgjidhje nga kjo situatë. Ne e përkrahim iniciativën e saj. Nuk biseduam për çështjet konkrete, por natyrisht që është një proces nga i cili ne duhet të dalim nga kjo gjendje gjithsesi, vetëm në suaza të Kushtetutës dhe ligjit", ka thënë Mustafa.Më herët liderët e tre partive opozitare në Kosovë, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma i prezantuan presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga,kushtet e tyre për normalizimin e punës së Kuvendit të Kosovës dhe gjendjes së përgjithshme politike.Fillimisht, opozita kërkon anulimin e marrëveshjeve me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe të asaj për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.Së dyti, forcat politike në opozitë kanë kërkuar lirimin e deputetëve dhe aktivistëve të opozitës, të cilët cilësohen si të "burgosur politikë".E në rast se marrëveshjet nuk anulohen, atëherë opozita kërkon që marrëveshjet t’i nënshtrohen votës popullore përmes referendumit. Si zgjidhje të fundit, nëse edhe referendumi nuk mund të mbahet, atëherë opozita kërkon zgjedhje të përgjithshme.Pesë ligjvënës nga opozita aktualisht janë në paraburgim ose në arrestshtëpiak - Albin Kurti, Donika Kadaj Bujupi, Haxhi Shala, Ismail Kurteshi dhe Fisnik Ismaili - dy të tjerë - Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli - janë në kërkim, për hedhje të gazit lotsjellës në mjediset e Kuvendit të Kosovës.Përmes gazit lotsjellës, vezëve dhe bllokimit të foltores, opozita ka synuar të bllokojë punimet në Kuvend, duke kërkuar shfuqizimin e marrëveshjeve të kontestueshme për opozitën.Po sot, autoritetet e rendit kanë shoqëruar për në polici edhe një ligjvënës tjetër, Pal Lekajn, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me të njejtat akuza.