Qeveria e Serbisë e miraton marrëveshjen e Brukselit
Qeveria e Serbisë në mbledhjen e sotme ka miratuar, firmosjen e marrëveshjes me Prishtinën, marrëveshje kjo e cila u mbështet nga të gjitha partitë në pushtet. Ky vendim i është dërguar menjëherë Catherine Ashton e cila do t’i njoftojë anëtarët e Këshillit të Ministrave të BE me rrjedhën dhe epilogun e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës, dhe do të rekomandojë që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.“Qeveria u ka urdhëruar ministrive, organizatave të veçanta dhe shërbimeve të saj që të ndërmarrin masat dhe aktivitetet e nevojshme lidhur me zbatimin e marrëveshjes, si dhe ta vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ”përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme në ‘Kosovë e Metohi’“, thuhet në deklaratën e qeverisë serbe.Dje Këshilli qendror i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) më e madhe në pushtet e ka mbështetur marrëveshjen ashtu siç ka vepruar edhe Kryesia e Partisë Socialiste dhe drejtuesit e partive të tjera të koalicionit qeverisës.Zv.-kryeministri Aleksandar Vuçiç ka thënë se ky dokument do ti dërgohet për mbështetje ose refuzim Kuvendit të Serbisë që do të mblidhet të mërkurën ose të enjten, dhe ka shtuar nëse ka nevojë do të shkohet edhe në referendum për të parë edhe se kush e ka shumicën.Kurse kryeministri Daçiç ka deklaruar dje se bisedimet do të pasojnë temat e tjera të hapura, siç janë ato mbi pronën private e shtetërore të Serbisë, kthimin e personave të zhvendosur dhe pozitën e Kishës Ortodokse Serbe, energjia elektrike dhe telekomunikacionet, dhe ka shtuar se në këto bisedime është “shpëtuar ajo që ka mundur të shpëtohet”.Edhe Daçiq edhe Vuçiq po përsërisin vazhdimisht se marrëveshja e Brukselit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.