“Trego fytyrën e korrupsionit”, OSBE leksion në 30 shkolla të mesme dhe Universitete

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit rinisën sot një fushatë ndërgjegjësuese me sloganin “Trego fytyrën e korrupsionit”. Elementi më i ri i fushatës është një sërë leksionesh kundër korrupsionit, në rreth 30 shkolla të mesme dhe universitete në të tërë vendin, që do të zgjasin deri më 18 dhjetor. Përveç kësaj, postera dhe banera do të vendosen në qytetet e vendit, si dhe në disa prej portaleve online më të vizituara.Leksionet, të cilat do të drejtohen nga disa figura publike, janë ideuar kryesisht si diskutime ndërvepruese për të nxitur mendimin kritik të nxënësve e studentëve. Temat përfshijnë një hyrje në përkufizimin e korrupsionit si fenomen global; shkaqet e korrupsionit në Shqipëri; pasojat sociale, politike, ekonomike dhe kriminale të korrupsionit; dhe mënyrat për ta luftuar korrupsionin.Si pjesë e fushatës ndërgjegjësuese, Prezenca e OSBE-së ka shpallur edhe një konkurs për ese me temë “Të rinjtë i thonë JO korrupsionit”, për të nxitur nxënësit e studentët të reflektojnë për pasojat e korrupsionit dhe ndikimet e tij negative në shoqëri, si dhe për të pasur zero tolerancë ndaj këtij fenomeni. Çmimi për tri esetë më të mira do të jetë pjesëmarrja në një kurs veror për anti-korrupsionin në një akademi ndërkombëtare.Fushata ndërgjegjësuese është pjesë e veprimtarive të organizuara nga Prezenca e OSBE-së në kuadër të projektit “Mbështetje masave anti-korrupsion në Shqipëri”, i cili mbështetet edhe nga qeveria italiane, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shkolla Italiane e Administratës Publike.