Clinton dhe Ashton sonte dhe nesër në Prishtinë
Në kudër të turit të saj Ballkanik për nxitjen e reformave ekonomike dhe demokratike në rajonin ende të ngarkuar me tensione etnike, Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, do të ndalojë sonte në Prishtinë.E shoqëruar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimi Evropian Catherine Ashton, sekretarja Clinton synon të nxisë Serbinë dhe Kosovën që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në bisedimet e deritashme, të çojnë përpara bisedimet dhe të nxiten të dyja palët që të hedhin hapa konkret që do të ndihmonin përparimin e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.Një zyrtar i departamentit amerikan të shtetit tha se Shtetet e Bashkuara ishin shumë të përfshira në bisedimet e deritashme, duke qenë të pranishme në çdo takim, meqë ato pajtohen me aleatët evropian se Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre para se të përfshihen në rrugëtimin e tyre drejt integrimit evropian. Ai tha se udhëheqësit evropian e kanë bërë të qartë se asnjë vend nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, derisa kufijtë e tij nuk janë të njohur, derisa janë të hapura çështjet e trafikimit dhe korrupsionit dhe derisa ka tensione rajonale.SHBA gjithashtu ka mbështetur takimin e 19 tetorit ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm dhe pozitiv që udhëheqësit e të dyja palëve treguan vullnet për t`u ulur dhe për të biseduar me njëri tjetrin.Sekretarja Clinton së bashku me zonjën Ashton synojnë të dërgojnë mesazhin se Serbia dhe Kosova duhet të tejkalojnë dallimet, të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre në mënyrë që të dyja palët të mund të ecin drejt integrimeve evropiane.Një zyrtar i lartë i departamentit të shtetit tha se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë me rëndësi të madhe që Kosova të jetë një demokraci shumetnike, ku qytetarët serbë të kenë të gjitha të drejtat. Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim me krijimin e komunave me shumicë serbe ku ata kanë zgjedhur vet përfaqësuesit e tyre. SekretarjaClinton synon të takojë edhe përfaqësues lokal të srebëve në Kosova krahas takimeve me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaci.Vizita e sekretares Clinton vlerësohet me rëndësi për Kosovën duke pasur parasysh rolin e qeverisë amerikane, por edhe të asaj personalisht në proceset politike në Kosovë.Po kështu vizita e Clinton pritet t`i japë një shtysë të re planeve për përshpejtimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, udhëheqësit e të cilave pritet të takohen sërish gjatë muajit nëntor.