Serbët protestojnë kundër vizitës së sekretares Clinton

Organizatat e djathta serbe sonte në qendër të Beogradit kanë organizuar protestë të qetë kundër vizitës së sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, në Serbi.Në protestën, të cilën në Sheshin Republika e kishte organizuar Lëvizja Popullore serbe “Nashi” dhe Këshilli serb “Zavetnici”, morën pjesë qindra persona duke mbajtur në duar flamuj dhe pankarta të këtyre organizatave, flamuj serbë dhe një transparent ku shkruhej “Larg kthetrat nga Kosova, kjo është tokë serbe”.Folësit në këtë tubim thanë se Clinton nuk është e mirëseardhur në Beograd për shkak të rolit të SHBA-ve në “shkëputjen e Kosovës nga Serbia”.Edhe Partia Radikale serbe ka paralajmëruar protestë për nesër para presidencës serbe.