Sekretarja Clinton zbarkon në Ballkan, sonte në Bosnjë-Hercegovinë
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton sonte rreth orës 19:45 ka mbërritur në Bosnjë-Hercegovinë, në kuadër të turneut të saj ballkanik.Zyrtarja e lartë amerikane është pritur nga zëvendës - kryetari i Këshillit të ministrave dhe ministri i jashtëm boshnjak, Zlatko Lagumxhija si dhe kryetari i Bashkisë së Sarajevës, Alija Behmen.Axhenda parasheh që sekretares amerikane nesër ti bashkëngjitet edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, dhe se bashkërisht të mbajnë takimin e nivelit të lartë me anëtarët e Presidencës së Bosnjë - Hercegovinës.Clinton dhe Ashton nesër gjithashtu pritet të takohen me shefin e delegacionit të BE-së në Sarajevë, Peter Sorensen.Clinton vjen në Sarajevë pas vizitës së saj dy vite më parë më 12 tetor. Ruajtja e stabilitetit, realizimi i reformave dhe rruga e integrimit evroatlantik do të jenë temat kryesore të agjendës së sekretares amerikane në Bosnjë- Hercegovinë.Clinton pas Sarajevës do të qëndrojë në Beograd dhe më pas në Prishtinë, ku do të inkurajoj dialogun e nivelit të lartë midis dy vendeve, pas takimit të parë midis kryeministrave të të dyja vendeve.Sekretarja amerikane pas Prishtinës do të udhëtojë drejt Tiranës, ku pritet një axhendë e ngjeshur e shoqëruar me një fjalim në Parlamentin Shqiptar me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar.Vizita e sekretares Clinton përmbyllet me qëndrimin në Kroaci, ndërsa Shkupi është një nga destinacionet e anashkaluara në Ballkan. Mediat maqedonase kanë shprehur disa reagime lidhur me mosvizitën e sekretares amerikane në Maqedoni.