KE Maqedonisë: Respekto “Marrëveshjen e Ohrit”

Raporti special pranveror i Komisionit Evropian për Maqedoninë në qendër të vëmendjes ka edhe incidentet ndëretnike dhe Marrëveshjen e Ohrit.Në kapitullin “Dialogu ndërmjet komuniteteve”, raporti i Komisionit Evropian në këtë mënyrë përshkruan incidentet ndëretnike, nxitjen e tyre si dhe çështjen e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit."Ndërmjet koalicionit qeveritar, dialogu vazhdoi në të gjitha nivelet dhe ishte i prekur nga kriza politike e cila ishte pa elemente etnike.Ka pasur disa incidente ndëretnike gjatë periudhës raportuese. Ka qenë një numër i madh i protestave gjatë rekonstruimit të qeverisë te cilat u nxitën pas emërimit të një ish anëtari të UÇK-së si Ministër i Mbrojtjes.Autoritetet dhe udhëheqësit e komunitetit ndërmorën veprime të shpejta dhe efektive për të parandaluar eskalimin.Në kuadër të raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 24 Mars, OSBE / ODIHR në raportin paraprak vuri në dukje se retorika etnike përçarëse ishte shkaktare kryesore për ngritjen e tensioneve në disa komuna" theksohet në raportin e KE.Sipas raportit partive politike në Maqedoni, u bëhet thirrje që të respektojnë   Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, si të vetmin mjet për bashkëjetësen etnike.Në Dhjetor të vitit 2012, pas një takimi midis liderëve të VMRO-DPMNE dhe BDI, dy partitë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke theksuar se sfidat  ndër-etnike do të trajtohen në frymën e respektit të ndërsjellë dhe tolerancës.