Nikolic: Ekziston kufiri të cilin Serbia nuk guxon ta kalojë
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic ka deklaruar se ekziston kufiri të cilin Serbia nuk guxon ta kalojë, e kjo është shtrirja e plotë e institucioneve të Prishtinës në mbarë territorin e Kosovës.Ai ka shtuar se pa Serbinë nuk ka pavarësi të Kosovës dhe Prishtina do të detyrohet në bisedime të pranojnë atë që është e logjikshme dhe normale.Në një intervistë për një media serbe, Nikolic ka thënë se Serbia ka pranuar më herët organizimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës për shkak se dëshiron t’i përmbush kushtet e BE që do ta ndihmonte për të nisur negociatat dhe një ditë të bëhet anëtare me të drejta të barabarta në BE.Sipas tij nëse dikush mendon se në realitet negociatat me Prishtinën janë për pavarësinë e Kosovës, do të hiqte dorë nga ajo ide, dhe çdo gjë do të mbetej nën mbikëqyrjen e KS të OKB.Mirëpo, ka shtuar presidenti serb, tani është shumë e vështirë, sepse ekzistojnë bllokada të ndryshme edhe në vet KS të OKB. Nikolic konsideron se nga Brukseli ka trysni “të heshtur” në anëtarët e ekipit tonë negociator dhe direkt në kryeministrin e Zv-kryeministrin për të lëshuar pe.“Por të gjithë e kanë të qartë se ekziston kufiri të cilin Serbia nuk guxon ta kalojë, ky kufi është shtrirja e plotë e institucioneve të Prishtinës në mbarë territorin e Kosovës, veçmas shtrirja në katër komunat në veri të Kosovës, sepse kjo nënkupton se Serbia zhduket nga ajo hapësirë... Ne e kemi mbështetjen e qytetarëve për sjellje të tillë dhe kjo është evidente dhe vetëm me sjellje të tillë mund ta mbrojmë Serbinë”, ka thënë Nikolic.