Qeveria miraton projektbuxhetin 1 miliardë e 598 milionë euro për 2016

Pas shumë diskutimesh Qeveria e Kosovës miratoi  sot pasdite projektbuxhetin për vitin 2016 në vlerë prej 1 miliardë e 598 milionë euro që është një rritje prej 4.1 më shumë se buxheti i këtij viti, kurse shpenzimet janë paraparë të jenë 1 miliardë e 680 milionë euro, shkruan Kosovapress.

Ky projektbuxhet reflekton vlerësimin e objektivave zhvillimore si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies për qytetarë, theksuan drejtues të Qeverisë.Mirëpo, në bazë të këtij buxheti, shkurtime buxhetore ka Ministria e Bujqësisë 3 milionë euro më pak.Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij ta votojnë këtë projekt ligj, edhe pse sipas tij ky buxhet nuk është një zgjidhje ideale për të gjitha Ministritë dhe nevojat e vendit. Ai theksoi se gjatë diskutimeve në kuvend dhe rishikimit mund të bëhen ndryshime dhe plotësime për ndonjë kërkesë.Kurse, ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë prezantimit të projektligjit për buxhetin 2016, theksoi se reflekton vlerësimin e objektivave zhvillimore si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies për qytetarë. Sipas tij buxheti i vitit 2016 është plotësisht në harmoni me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).Ai tha se në vitin 2016 kjo Qeveri parasheh të shpenzojë 1 miliardë e 680 milionë euro. Sipas tij nga diskutimet jo të lehta me FMN, Qeveria ka arritur të ketë pajtueshmërinë e plotë dhe përkrahjen e FMN për politikat që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e barazisë sociale. Hoti theksoi se si rezultat i besimit të ndërsjellë mes FMN-së dhe Qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë dhe disiplinën fiskale kanë arritur të krijojnë hapësirë shtesë mbi deficitin sipas rregullit fiskal për investime kapitale me karakter strategjik zhvillimor.Ministri Hoti theksoi se me këtë buxhet rritja ekonomike për vitin e ardhshëm do të jetë 3.8 për qind. Kurse, buxheti i komunave për vitin 2016 do të jetë 402 milionë euro.Ndërsa, gjatë shqyrtimit të këtij projekt buxheti ka reaguar Memli Krasniqi, ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili tha se duke i pasur parasysh situatën aktuale që e ka Kosova në kuptimin makrofiskal por edhe marrëveshjen me FMN dhe limitet, të cilat vendosen në këto raste për buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë dhe objektivave që kjo Ministri i ka e që janë një ndër prioritet qendrore të Qeverisë, buxheti i propozuar në një masë të caktuar nuk reflekton përmbushjen këtyre prioriteteve për arsye se ka një zvogëlim të buxhetit.Po ashtu edhe disa ministra të këtij kabineti qeveritar kanë pasur disa vërejtje për sa i përket projekt buxhetit.