Votimi i emigrantëve, Berisha ftesë Ramës: Të negociojmë të Hënën, janë të gjitha mundësitë

Nga Librazhdi, ku ka inaguruar segmentin rrugor Hotolisht-Frare, kryeministri Berisha ka ftuar kryesocialistin Rama në negociata për tu dhënë mundësinë emigrantëve shqiptarë të ushtrojnë vullnetin e tyre përmes votës në 23 Qershor. Duke iu referuar akuzave të Ramës në Milano, përmes të cilave bëri përgjegjës Kryeministrin, Berisha i bëri thirrje të mos i druhet votës së tyre, ndërsa garantoi se qeveria do të mundësojë teknologjinë më moderne për tu dhënë mundësinë qoftë përmes votimit online apo në Ambasada."E dëgjova gjatë një takimi në Milano mes emigrantëve ku u tha se nuk deshi Berisha që ju të votoni. Ja ku i them, nuk deshe ti, dhe nëse ke kthyer mëndje të Hënën  të biem dakord që çdo emigrant të votojë për vendin e tij, të votojë në zgjedhjet e 23 Qershorit. I kemi të gjithë në lista, qeveria merr përsipër të instalojë me shpejtësi teknologjinë më moderne, të votojnë online, nëpër Ambasada, mos ke frikë nga vota e tyre" tha Kryeministri.Shefi i qeverisë nuk ka kursyer akuzat në drejtim të rivalit të tij politik lidhur me bllokimin e tre ligjeve në Kuvend, përmes të cilave sipas tij dënoi shqiptarët, duke bllokuar qindra e qindra milionë euro. Sipas  Berishës, Rama nuk ofron asgjë për shqiptarët përpos dy alternativave, gënjeshtërn dhe mohimin."Aletrnativa tjetër është ajo e mashtrimit, i them Ramës se gënjeshtra është dobësia më e madhe e burrit dhe gënjen vetëm ai që ka frikë nga vetja e tij. Dy janë alternativat e tij janë  gënjeshtra dhe mohimi. Këto 8 vite bëre gjithcka për të bllokuar, por fatmirësisht nuk bllokove NATO-n dhe vizat. Bllokove tre ligjet, i bllokove por dita e gjykimit po vjen dhe duhet ta dini se me atë bllokim ka bllokuar qindra e qindra milionë euro për shqiptarët, jo qeverinë. I bllokove vetëm për ligësinë e shpirtit tënd, se mendove se Berisha do merrte kredi më të mëdha. Qeveria ime bëri cdo gjë dhe statusi u rekomandua për Shqipërinë. Me bllokimin e ligjeve ke bërë një akt të shëmtuar ke shkelmuar një interes jetik" theksoi Berisha.Më tej Kryeministri garantoi banorët e Librazhdit se katër vitet e ardshme qeveria do të bëjë gjithcka për mbështetjen e fermerëve, zhvillimin rural dhe garantimin e shërbimeve të njëjta me ato të qytetit."Gjatë katër viteve që vinë do trefishojmë grantet e projekteve tuaja në mënyrë që ju të ndërtoni kopshtet, serat dhe bahçet tuaja dhe të ecni të sigurt drejt një të ardhmje më të mirë në mënyrë që ju të ecni drejt zhvillimit të turizmit. Ju garantoj se ndihmat ndaj jush do të jenë shumë më të mëdha, sepse marrja e statusit të vendit kandidat do të thotë mbështetje e fuqishme nga fondet direkt të KiE. Katër vitet që vinë ne do finalizojmë të gjithë infrastrukturën tuaj, jemi të zotuar që cdo fshat të ketë infrastrukturën e qytetit. Qytetarët kudo që jetojnë duhet të kenë shërbime dinjitoze. Kjo është alternative jonë, ajo bazohet në problemet më kryesore që ju shqetësojnë ju dhe që sjanë të pakta. Katër vitet që vinë do jetë 4 vjecari i sistemit më modern të vaditjes në rajon e më gjerë, këto janë premtimet sëbashku me rritjen e vazhdueshme të pensioneve për Shqipërinë rurale e më gjerë. Do bëjmë gjithcka për shfrytëzimin e cdo metri katrorë tokë, ndaj dhe ju keni shumë arsye të besoni se kudo që shkoni do ndjeni angazhimin tonë për infrastrukturën. Pak vite më parë Shqipëria ishte në errësirë energjitike, sot nuk mund të mendohet, por prapë e keni të një cilësie më të dobët se në qytet, ju jap fjalën se për katër vitet që vine do ndërtohet rrjeti i njëjtë me qytetin" u shpreh Kreu i qeverisë.Rrugës Hotolisht-Frare, 6,2 km e gjatë me një  investim prej 146 mln lekë,  u vjen në ndihmë 1500 banorë të kësaj zone. Me këtë rrugë kjo zonë fiton një dalje të shpejtë në rrugën kombëtare, afrohet me Librazhdin, Elbasanin dhe Tiranën.