Meta mbledh KDK-në: Koalicioni me PS, për balancimin e pushteteve

Qëndrimi i butë i LSI ndaj ish aleatit të saj, PD, duket se ka marrë fund.  Dy ditë pasi vendosi të jetë përkrah PS-së në zgjedhje, kreu i LSI-së Ilir Meta ka ashpërsuar tonet në adresë të mazhorancës. Nga mbledhja e Komiteti Drejtues Kombëtar, meta tha se pakti me socialistët ishte i nevojshëm për të balancuar pushtetet në Shqipëri"Është domosdoshmëri vendosja e ekuilibrit të ri të ndarjes së pushteteve. Përqendrimi i tyre në një dorë të vetme nuk është i shëndetshëm për demokracinë. Sot ka rëndësi që të balancohen këto pushtete, edhe ngërçi i krijuar me reformat e integrimit në BE është si rezultat i një mosbesimi të thellë politik" theksoi Meta.Koalicionin me demokratët Meta e pagëzoi si të panatyshëm. Me PS-në aleanca është e natyrshme tha ai, por edhe e detyruar nga mundësia e humbjes së mandateve për shkak të kodit."Bashkëpunumi me PS është i natyrshëm sepse këto forca i takojnë të majtës pavarësisht nga historitë e ndryshme. Kanë një qëndrim të përafërt me historinë, ndaj luftës antifashiste nacional çlirimtare por edhe me çështjet e rëndësishme parimore dhe programore . Nuk kemi qejfmbetje dhe pakënaqësi me PD. Ne i kemi qëndruar korrekt marrëveshjes, kemi bërë të qartë me kohë që një koalicion mes LSI dhe PD në zgjedhje politike ishte i panatyrshëm " theksoi Meta.Duke udhëtuar në vite për mundësinë e bashkëpunimit PS-LSI, Meta sulmoi ish kryesocialistin Nano kur tha se: "Nuk kemi pasur ftesë nga PS as në 2005 as në 2009. PS e cilësoi LSi një pikë ujë në mes të oqeanit, ndoqi një rrugë të gabuar me Dushkun”.Në fund, ashtu si edhe kryesocialisti Edi Rama një ditë më parë, edhe Meta e pati një përgjigje për ata që e konsiderojë të pamoralshëm këtë koalicion."LSI është një parti e pjekur dhe nuk mundet të mbetet peng e të kaluarës dhe të ngacmohet nga mistrecllëqe që u takojnë njerëzve të veckël, që jo vetëm s'kanë bërë politike, por edhe se kuptojnë atë politikë, që e çon vendin përpara" shtoi më tej Meta.