Berisha: PD-ja shkon në zgjedhjet e 23 qershorit si shumicë

Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se Partia Demokratike po shkon në zgjedhjet e 23 qershorit si shumicë dërrmuese e shqiptarëve.Ndërsa ka inaguruar sot rrugën Shijak-Gjepalaj, kryeministri Berisha premtoi gjithashtu se gjatë 4 vitet e ardhshme të mandatit qeverisë do të bëhen hapa përpara në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian."Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit, e djathta po shkon drejt këtyre zgjedhjeve si shumicë dërrmuese të shqiptarëve, shkon drejt këtyre zgjedhjeve si forca politike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, liberalizoi vizat, si forca politike që po ngre infrastrukturën më moderne më Shqipëri, ka zhvilluar Shqipërinë rurala, uli papunësinë. Partia Demokratike në 4 vitet që do të vijnë do të rendisë Shqipërinë në vendet e zhvilluara, do të shënojmë hapa drejt integrimit në BE. Ne jemi ndryshimi, përpara" ka theksuar Berisha.Gjithashtu kryeministri Berisha ka premtuar se në 4 vitet e ardhshme do të përfundojë infrastruktura më moderne për zonat rurale të vendit si dhe do të shumëfishohet prodhimi në këto zona.Rruga Shijak-Gjepalaj, me gjatësi 6.3 kilometër është një investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 159.485.350 lekë dhe lidh komunën Gjepalaj me bashkinë Shijak.Rruga, e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, u vjen në ndihmë 6 000 banorëve të kësaj zone, të cilët merren me bujqësi, blegtori, pemëtari, vreshtari, etj., duke iu lehtësuar atyre transportin e prodhimeve drejt tregut të Durrësit dhe më gjerë.