Bruksel, sot zhvillohet takimi i radhës Kosovë-Serbi

Në Bruksel zhvillohet raundi i tetë i bisedimeve në nivel kryeministrash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiç, në takimin që do të zhvillojnë bashkërisht me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, do të diskutojnë arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe njëherë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Në një prononcim në gjuhën angleze, Thaçi ka thënë se “sot është ditë historike dhe çast vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë Thaçi para takimit me baroneshën Ashton.“Ne jemi këtu për të arritur marrëveshje në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë – një marrëveshje që do të lëvizë përpara edhe shtetin e Kosovës, por edhe gjithë rajonin në perspektivën evropiane. Prishtina do të prezantojë qëndrimet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e veta”, ka thënë Thaçi, duke theksuar qëndrimin në favor të fqinjësisë së mirë.Gjithashtu të hënën, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka bërë të ditur se në takimin e sotëm në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të shkojë edhe zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.Kjo, sipas Nikoliçit, tregon për unitetin e udhëheqjes më të lartë shtetërore të Serbisë në bisedimet me Kosovën.Sipas tij, Serbia nuk kërkon idealen, por “ajo që kërkon Prishtina nuk do të jetë kurrë e mundur”.Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Thaçi-Daçiç, janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, e që në Beograd asociacioni njihet me emrin “bashkësi”.Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton fuqishëm.