Meta: Më 23 qershor LSI-ja vendos për qeverisjen e ardhshme
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim në njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranë. Në fjalën e tij Lideri i LSI-së deklaroi më 23 qershorit qytetarët shqiptarë do votojnë LSI-në sepse ata duan të ecin më shpejt dhe e kuptojnë plotësisht mesazhin dhe angazhimin e LSI-së.“Të gjithë shqiptarët duan të ecin më shpejt dhe njëkohësisht sepse ne në dallim nga të tjerët nuk i drejtohemi yjeve por u drejtohemi njerëzve. Unë kam besim të plotë se ata e mirëkuptojnë plotësisht mesazhin dhe angazhimin tonë dhe e kanë të qartë se ne nuk bëjmë fushatë me ta por se ne i ndjejmë realisht problemet e tyre dhe jemi të angazhuar për t’i zgjidhur ato”, u shpreh z. Meta.Sipas tij Lëvizja Socialiste për Integrim pas zgjedhjeve e 23 qershorit do të ketë një peshë shumë më të madhe në qeverisjen e ardhshme, në Parlamentin e ardhshëm. Meta tha se për koalicionet e ardhshme do të vendosi konventa e LSI-së, por sipas tij e rëndësishme është që pas 23 qershorit LSI do të ketë më shumë peshë në qeverisjen e ardhshme, në parlamentin e ardhshëm sepse është një parti me këmbë në tokë dhe e angazhuar për zgjidhjen e problematikave që shqetësojnë qytetarët.Duke analizuar funksionimin e strukturave Z. Meta deklaroi se janë të gjitha mundësitë për të arritur një rezultat historik. “Do ta arrijmë patjetër, në mënyrë që të jemi edhe më përcaktues për të ndihmuar të ardhmen e vendit dhe të çdo qytetari shqiptar që të jetë më e sigurt. E ardhmja e tyre tronditet sa herë që politikanët për arsye të fushatave dalin nga realiteti dhe për hir të stresit që kanë për zgjedhjet dhe të rezultatit të tyre janë gati të bëjnë çdo lloj deklarata apo të nxisin çdo lloj fryme konfliktuale”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.Duke folur mbi sondazhet e fundit z. Meta tha se LSI do të ketë një rezultat spektakolar më 23 qershor dhe sondazhet sipas tij i paguajnë të tjerët sepse e dinë shumë mirë peshën reale të LSI-së. “Ju e shikoni që ne jemi shumë të qetë, të tjerët janë në halle. Të gjithë përpiqen të paguajnë sondazhe. Të gjithë kanë hallin se si të nxjerrin sa më poshtë LSI-në sepse e dinë që LSI-ja është e vetmja forcë reale, përveç dy të tjerave, që do të imponojë Parlamentin e ardhshëm dhe që qeverisjen e ardhshme shtoi Meta.Meta bëri edhe një herë thirrje që ethet elektorale të mos i bëjnë politikanët që të bëjnë premtime skandaloze që cenojnë edhe stabilitetin ekonomik të vendit.“Nuk mund të flasim pa i kuptuar treguesit ekonomikë. Nuk mund të bëhen premtime skandaloze ndërkohë që rritja e shpenzimeve publike njëkohësisht është shumë e lartë dhe është shqetësuese. Kjo tregon një mungesë përgjegjësie. Njëkohësisht premtohet që do të hapen me qindra e mijëra vende pune, premtohet që do të rriten shumë më tepër pagat, do të rriten shumë më tepër pensionet, do të ulen taksat. Atëherë vërtet vjen pyetja: në këtë mënyrë do të ulen edhe të ardhurat, atëherë do të rritet deficiti, do të rritet borxhi publik dhe ku do të shkojnë? Pra janë ethet e 23 qershorit të cilat ndikojnë mbi politikanë të caktuar dhe nuk janë ata dhe forcat politike të cilat duhet të menaxhojnë këtë problematikë që ka vendi, me arritjet dhe vështirësitë që ajo ka”, vijoi ai.