BE kërkon në takimet e rradhës zv.kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç
Bashkimi Europian nuk vendos për përbërjen e delegacioneve negociuese të Beogradit dhe të Prishtinës, por ndërmjetësuesja e proçesit, Catherine Ashton, do të donte që zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të përfshihet në dialog."Dialogu zhvillohet në mes të dy kryeministrave dhe ata vendosin për përbërjen e delegacioneve. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, nuk i ka dërguar thirrje me shkrim Vuçiçit që të marrë pjesë në bisedime, por do të ishte e kënaqur nëse ai vjen së bashku me Daçiçin", ka thënë për mediat serbe zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijançiç.Mediat në Beograd kanë shkruar të Enjten, se Brukseli dhe Uashingtoni kanë ftuar Vuçiçin që të angazhohet personalisht në proçes. Tanjug-ut, ndërkaq, i është thënë se SHBA-ja mbështet bisedimet, por nuk është në pozicion që të ftojë cilindo përfaqësues në këto bisedime."Ne mbështesim Qeverinë e Serbisë, por i përket asaj të zgjedhë përfaqësuesit e saj dhe negociatorët", ka thënë zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Beograd.Disa media serbe po ashtu kanë raportuar se kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, gjatë takimit të fundit me homologun nga Kosova, Hashim Thaçi, ka qenë në kontakt të pandërprerë me zëvendësin e tij, Aleksandar Vuçiç.