Zgjedhjet, një kapitull i ri për Maqedoninë

Pavarësisht se cila parti i fitoi zgjedhjet lokale në Maqedoni, ato kanë marrë një rëndësi të madhe për vendin pasi vlerësimet e ndërkombëtarëve kanë qënë pozitive. Komisioni Europian në një deklaratë thekson se këto zgjedhje janë një kapitull i ri për Maqedoninë."Përshëndesim faktin se zgjedhjet lokale u zhvilluan në atmosferë të qetë pa incidente të mëdha. Tani presim rezultatet zyrtare nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ", theksohet në në deklaratë të shkurtër të  komisionerit për zgjerim në BE  Stefan Fyle.Zgjedhjet vendore të 24 marsit vlerësohen si të suksesshme edhe për shqiptarët, sepse komunave tradicionalisht shqiptare në Maqedoni iu shtua edhe një, ajo e Kërçovës që nuk është drejtuar prej shqiptarëve që prej shtatëdhjetë vjetësh.Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar në Çair të Shkupit, në Dibër të Madhe, në Saraj të Shkupit dhe me ndihmën e mijëra emigrantëve nga shumë vende të botës edhe komunën e Kërçovës, si dhe disa komuna rurale. Partia Demokratike Shqiptare do të garojë në raundin e dytë në Strugë, ku do të ketë mbështetjen gjithëshqiptare kundër kandidatit të partive maqedonase dhe pritet të fitojë atje. Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi është shprehur i kënaqur me numrin e votave që kanë marrë kandidatët e partisë së tij, por jo dhe vetëm me një komunë deri tash të fituar.Në Tetovë, do të shkojnë në balotazh Teuta Arifi e BDI-së dhe Sadi Bexheti i PDSH-së. Në Gostivar Rufi Osmani i RDK dhe Nevzat Bejta i BDI-së. Ndërkohë, partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski ka fituar 54 komuna, ndërsa Lidhja Social Demokrate e opozitës maqedonase shtatë. Raundi i dytë për ato komuna ku nuk pati fitore do të mbahet pas dy javësh.Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë bërë vlerësime pozitive për procesin e zgjedhjeve vendore në Maqedoni. 420 ishte numri i pjesëtarëve të misioneve diplomatike, të OSBE-së dhe ODIHR-it, ndërsa shumë herë më i madh numri i vëzhguesve vendas.Autoritetet e vendit theksojnë se kjo është hera e parë kur në një proces zgjedhor nuk shënohen incidente fizike as dhunë.