Maqedoni, BDI dhe VMRO-DPMNE fitojnë shumicën e komunave

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoni publikoi sot rezultatet e zgjedhjeve të djeshme lokale, duke bërë të ditur se koalicioni i partive i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar më shumë vota në 54 komuna, koalicioni opozitar i udhëhequr nga LSDM në 7 komuna, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka fituar në 11 komuna, PDSH, RDK, Partia Demokratike e Turqve, Partia Përparimtare Serbe dhe Lidhja e Romëve janë në epërsi në një komunë.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shënuar fitore në disa komuna që në raundin e parë, përfshirë edhe komunën e Kërçovës, e cila për herë të parë pas 70 vitesh do të udhëhiqet nga kandidat shqiptarë, Fatmir Dehari, i cili fitoi përballë kandidatit të përbashkët maqedonas VMRO-DPMNE dhe LSDM, Bllagoja Despotovski.
BDI ka shënuar fitore që në raundin e parë edhe në: Çair, Dibër, Likovë,  Bogovinë, Saraj, Zhelinë, Pllasnicë.PDSH ka shënuar humbje në disa komuna, përfshirë edhe komunën e Tetovës, ku kandidatja nga BDI, Teuta Arifi është në epërsi prej mbi 3500 votave kundrejt kandidatit të PDSH-së, Sadi Bexheti, dhe gara do të vazhdojë në balotazh pas dy javësh.RDK vazhdon garën në komunën e Gostivarit, ku kandidati dhe lideri i kësaj partie, Rufi Osmani është në një diferencë të ngushtë me kandidatin e BDI-së, Nevzat Bejta.Në Maqedoni dje u mbajtën zgjedhjet lokale në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë administrative.Shumicën e komunave e kanë fituar partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE e udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe tek blloku politik shqiptar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).