Serbët bllokojnë gjykatën në veri të Kosovës

Strukturat ilegale në veri të Mitrovicës kanë aktivizuar alarmin rreth orës 7:00 të mëngjesit të sotëm duke ftuar qytetarët serbë që në numër sa më të madh të tubohen para gjykatës në veri, për të penguar seancën përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj gjashtë serbëve që është parashikuar të mbahet sot, bëjnë të ditur burime të Kosovapressit.Sipas këtyre burimeve, rreth 700 serbë kanë bllokuar ndërtesën e gjykatës, duke mos lejuar kështu hyrjen e pjesëtarëve të EULEX-it brenda, ndërkohë që para hyrjes kanë vendosur dy kamionë dhe një eskavator.Mësohet se deri tani nuk është shënuar ndonjë incident, ndërkohë që situata është e tensionuar. Ndërkohë sot në këtë gjykatë në orën 11:00 është parashikuar të dalin para gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në seancën e fundit të procesit gjyqësor gjashtë serbë nga Mitrovica, të dyshuar për pjesëmarrje në trazirat e marsit të vitit 2008 në veri të Mitrovicës.Të akuzuarit, Miodrag Ralic, Marjan Ilincic, Zoran Cavic, Dragan Milojevic, Nebojsa Jovic dhe Avni Krasniqi, akuzohen për 22 vepra penale, duke përfshirë këtu marrje ilegale të gjykatës në veri të Mitrovicës, thirrje për rezistencë, pengim të personave zyrtarë,etj.Po ashtu ata akuzohen edhe për shkatërrim prone, përhapje të urrejtjes etnike dhe përçarjes.