Kuçi: Qeveria, e bindur për arritjen e marrëveshjes

Qeveria e Kosovës shkon me bindje që të arrihet marrëveshja në Bruksel dhe në këtë drejtim është duke u punuar vazhdimisht. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi duke theksuar se në rast të mos arritjes së ndonjë marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit atëherë, hapi tjetër do të jetë shtrirja e autoritetit në veri.”Qeveria e Kosovës do të bëjë çdo aktivitet që nëse nuk arrihet marrëveshja ta shtrijë autoritetin e vet në veri të vendit. Për këtë kërkon një mbështetje më të madhe ndërkombëtare, për këtë kërkon një ndërprerje të ndikimit të Serbisë dhe një angazhim të shtuar të institucioneve vendore. Kompromis në raport me sovranitetin nuk do të ketë dhe status quo nuk është e qëndrueshme”, tha Kuçi.Zëvendëskryeministri Kuçi tha se mos arritja e marrëveshjes nuk është pozitive për asnjërën palë. Ndërsa sa i përket shtrirjes së legjislacionit në veri ai tha se me ketë proces nuk trembet askush:“Nuk e kemi logjike që t’i trembim qytetarët ordinerë atje, natyrisht që ata duhet të jetojnë në atë pjesë me të drejta dhe me ato që parashohin ligjet tona, kushtetuta jonë dhe si qytetarë të barabartë të vendit tonë. Por, po ashtu nuk është e qëndrueshme situata nëse atje nuk dominon rendi dhe ligji , ska legjitimitet demokratik , ka ndërhyrje nga Serbia dhe nuk ka zhvillim adekuat ekonomik” , tha Kuçi.Kuçi po ashtu tha se fatmirësisht propozimet e palës kosovare janë edhe në përputhje me propozimet e kryediplomates së BE-së Ketrin Ashton, dhe deri më tani kanë qenë në vijë të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.