Bisedimet Kosovë-Serbi, Thaçi pritet të informojë Kuvendin

Prishtina dhe Beogradi do të shkojnë javën që vjen në një raund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se raundi i javës së kaluar ishte mundësi e mire për marrëveshje, por ishte Serbia ajo që e humbi këtë mundësi, ndërsa zyrtaret serbë thanë se oferta për marrëveshje ishte e papranueshme. Beogradi ngulë këmbë për krijimin e një bashkësie të komunave serbe me pushtet ekzekutiv, ndërsa Prishtina hedh poshtë një mundësi të tillë.Ndërkohë kryeministri i Kosovës pritet që të informojë Kuvendin në lidhje me takimin e tij të fundit me Daçiç, këtë të enjten, ku më pas si zakonisht edhe pritet të hapet debat parlamentar. Është shkelur apo jo Rezoluta e Kuvendit të Kosovës në lidhje me bisedimet politike me Serbinë, kjo është një çështje debati në Prishtinë.Partia më e madhe në pushtet e mohon të jetë shkelur kjo Rezolutë.  Dy partitë opozitare LDK dhe AAK nuk besojnë se ka vend për shqetësim ndërsa   është Lëvizja Vetëvendosje e cila vlerëson se Rezoluta është shkelur qysh në takimin e parë midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Dyshimet nëse dialogu politik i Brukselit po shkel Rezolutën e Kuvendit kanë të bëjnë me hapjen e çështjes së veriut në këto bisedime, e cila ishte trajtuar më parë si çështje e brendshme e Kosovës.Para nisjes së bisedimeve politike me Serbinë, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash pati miratuar një Rezolutë e cila i mundësonte kryeministrit Thaçi të hynte edhe në dialog politik me Beogradin, por ku i përcaktohej çartë se nuk mund t'i negocionte çështjet e brendshme politike me shtetin serb.