Krasniqi: S’kemi platformë zyrtare për bisedimet

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar sot se Kuvendi i Kosovës zyrtarisht nuk ka asnjë platformë lidhur me bisedimet, ndërsa sipas tij, për platformat tjera të cilat nuk janë në vijë zyrtare nuk është çështje e Kuvendit që t’i komentojë. Krasniqi këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.“Këto pyetje duhet t’ia drejtoni atyre që janë duke zhvilluar këto bisedime”, tha Krasniqi.Sa i përket Rezolutës së Kuvendit për bisedimet Kosovë-Serbi, Krasniqi tha se nuk e dinë nëse po tejkalohet ose jo Kushtetuta në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel.“Ne nuk kemi qenë në bisedime, mirëpo e dimë që rezoluta i ka qartësuar vijat se për çka duhet të bisedohet dhe për çka nuk duhet të bisedohet. Unë nuk dua të jap mendimin tim, por pyetjet duhet drejtuar atyre që kanë marrë përgjegjësi në bisedime”, tha Krasniqi.Ndërkohë, kërkesa e kryeministrit Hashim Thaçi për të raportuar në Kuvend, ka marrë përgjigje pozitive nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e cila ka vendosur që ky raportim të bëhet këtë të enjte.