Vetëvendosje: Padi ndaj Serbisë, jo dialog
Nëse lëvizja “Vetëvendosje” do të merrte pushtetin, diçka tjetër do të ishte e rezervuar për Serbinë në vend të dialogut që po ndodh sot. Kosova nën drejtimin e subjektit që drejtohet nga Albin Kurti do të ushtronte padi ndaj Serbisë.Një gjë e tillë parashikohet në Alternativën qeverisëse të lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila është miratuar në janar të këtij viti, por që nuk është publikuar ende.Në Alternativën që ka afro 300 faqe, e cila bëhet publike nga “Koha Ditore”, shkruan se lëvizja “Vetëvendosje” nuk e njeh dhe nuk e pranon shtetin e Serbisë. “Dihet që Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk po e ndryshon kushtetutën e saj ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë dhe nuk i ka kërkuar falje Kosovës për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX. Marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me Serbinë janë të papërfillshme për ne, përveçse janë të paratifikuara në Kuvendin e Kosovës” thuhet në platformën e Vetëvendosjes.Në Alternativë shkruhet se do të përgatitet dokumentacioni me dëshmitë dhe faktet për krimet e Serbisë në Kosovë dhe do të hartohen paditë nga shteti, si dhe nga organizmat e tjerë bashkëpunues me Kosovën për krimet e Serbisë. “Këto padi do të jenë të drejtuara në gjykatat ndërkombëtare.Këto, duke pasur parasysh se Serbia: nuk na i ka dorëzuar kriminelët serbë të luftës; nuk na i ka kthyer trupat e rreth 1800 të pagjeturve dhe nuk jep informacione për ta; nuk na i ka paguar dëmet e luftës dhe të okupimit; ua shkel të drejtat shqiptarëve autoktonë në Luginën e Preshevës dhe i shtyp ata; vazhdon t´i financojë strukturat e saj ilegale në Kosovë; nuk na e ka kthyer fondin pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, librat kadastralë dhe artefaktet kulturore” theksohet më tej.Alternativa e “Vetëvendosjes” ka parashikuar edhe bashkimin e Mitrovicës dhe përmirësimin e situatës në veri. “Në veri të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje. Një bazë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të jetë e vendosur në Lagjen e Boshnjakëve, në ish-bazën e KFOR-it, përkatësisht ish-remontin ushtarak. Dy baza të tjera të njësisë speciale së bashku edhe me forcat ushtarake të jenë në afërsi të pikave kufitare 1 dhe 31”, shkruan aty. “Duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht bisedimet me Serbinë, e të cilat, siç e dimë, janë bisedime pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës. Me këto bisedime nuk forcohet pavarësia e Kosovës prej Serbisë, por pavarësia e veriut të Kosovës prej Kosovës” thuhet më tej.Alternativa parashikon që Shqipëria dhe Kosova bashkërisht duhet të angazhohen për shqiptarët kudo që ata janë e posaçërisht për ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. “Arsyeja kryesore pse Serbia e ka synuar decentralizimin në Anamoravë është që ta hedhë farën e ndarjes dhe të izolimit të asaj pjese nga Kosova”, shkruhet në platformë.