Berisha: Taksa për biznesin e vogël nuk do të hiqet

Ndërsa e ka cilësuar biznesin si gjeneratorin kryesor të punësimit, kryeministri Berisha premtoi më shumë lehtësira për zhvillimin e tij.Në një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit të vogël, kryeministri Berisha deklaroi se taksa për biznesin e vogël nuk do të hiqet pasi sipas tij shteti bazohet mbi taksat.“Punësimi mbetet prioritet i qeverisë.  Ne besojmë se çdo qytetar duhet të gëzojë të drejtën e punës, do të duhet që të ndërtojë të ardhmen, të ndërtojë mirëqënien dhe jetesën e tij. Ne duhet të krijojmë një mjedis që favorizon sa më shumë binzesin pasi ne punësimin e bazojmë te biznesi.   Ka një diskutim të hapur për të hequr taksën mbi biznesin e vogël, e cila në fakt nuk hiqet. Këtë deklaratë e bëjnë vetëm ata, si zotëria që është kundër ligjit dhe thotë mos paguani gjobat, që le sharrën të presë pyjet, që të bëhet evazioni sa të mundet. Por nëse nuk ekziston taksa, shteti nuk qëndron. Masa të tjera të rëndësishme do marrim gjatë katër viteve që vijnë. Unë jam shumë i interesuar për të dëgjuar zërin tuaj”tha Berisha.Sipas kryeministrit, me rëndësi është hartimi I një projekti i cili do të bënte të mundur krijimin e lehtësirave për biznesin e vogël."Ajo që ka rëndësi është që të përpunojmë sëbashku një projekt që biznesit të vogël t’i krijojmë lehtësitë maksimale. Nuk ka diskutim, por çfarë bëmë ne ndërkohë: hoqëm taksat për çdo makineri prodhimi, që importohen. Hoqëm taksat për çdo lloj inputi që përdoret për prodhimin. Jemi ndoshta i vetmi vend në botë që nuk kemi asnjë lloj takse për kapitalin. Kemi hequr taksën personale për të gjithë ata që paguhen nën 30 mijë lekë, që të kenë kështu edhe ata një lloj page shteti” shtoi kryeministriKryeministri i premtoi biznesit se nuk do të ketë rritje taksash ndërsa sulmoi edhe taksën progresiste të PS-së."Taksa progresiste është taksa e Marksit që synohet që të mos lejohen njerëzit të pasurohen dhe këtu ndahemi me ta. Unë nuk ka frikë nga pasurimi juaj pasi kjo kthehet në punësim dhe në rroga për punonjësit.  Unë ju premtoj ju që sa kohë votoni Partinë Demokratike ju nuk do të keni ndonjëherë rritje taksash. Ne kemi një histori 8-vjeçare për ulje taksash” tha kryeministri.Ndërkohë kryeministri premtoi gjithashtu se qeveria do të vazhdojë subvensionimin për fermerët që do të kultivojnë drurë frutorë."Ne do ta 3-4 fishojmë subvencionimin e kësaj skeme për ullirin, arrorët,drurët frutorë. Kjo nismë ka sjellë një nxitje rreth 3-4 herë më të madhe sesa subvencioni ynë. Sepse shumë më tepër fermerë kanë mbjellë edhe pa këtë subvencionim” tha Berisha.