Shalsi: Industria, dështimi i radhës i qeverisë
Partia Socialiste ka deklaruar sot se dështimi i radhës i qeverisë është industria dhe për këtë Sali Berisha nuk duhet votuar në 23 qershor.Eduard Shalsi, deputet i PS, në një deklaratë për mediat ka renditur një sërë argumentesh lidhur me dështimet, radhazi, të qeverisë sa i takon zhvillimit të industrisë përmes strategjisë apo lehtësirave fiskale, që në 8 vjet kanë qenë jo ekzistente.“Sot kur na ndajnë vetëm 91 ditë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët me votën e tyre do ta çojnë në pension këtë qeveri e këtë kryeministër, dëshiroj t’ju kujtoj një tjetër dështim dramatik të Sali Berishës: Dështimin për të zhvilluar përmes strategjive, lehtësirave e stimujve industrinë shqiptare. Jo vetëm kaq, por me politikat që ka ndjekur, me mënyrën sesi është sjellë me sipërmarrjet private Sali Berisha i ka zhytur në krizë edhe ato pak industri ekzistuese, siç janë fasonët apo ndërmarrjet agropërpunuese” tha Shalsi.Ai ka theksuar se kryeministri premtoi lehtësira fiskale për 8 vjet me radhë, por mashtroi sepse në këto 8 vjet legjislacioni fiskal ka ndryshuar 74 herë duke ngjallur konfuzion e duke krijuar kosto të papërballueshme në kohë e në para."E sikur të mos mjaftonte kjo, vendosi taksën e sheshtë duke rritur ndjeshëm kostot që këto sipërmarrje paguajnë për punonjësit e tyre; ngriti referencat e taksimit, e më pas lëshoi nga zinxhirët xhandarmërinë tatimore gjobat e të cilëve shpesh arrijnë deri në 300% të tatimeve. Premtoi investime në infrastrukturë për lehtësimin e punës së ndërmarrjeve duke krijuar 5 parqe industrial. A i ka parë njeri? Në qoftë se dikush di të më tregojë një park të vetëm industrial është i lutur të na informojë për vendndodhjen. Premtoi krijimin e inkubatorëve të biznesit. A i ka parë njeri? A ekzistojnë ato diku tjetër përveç në fjalimet e Saliut? Na rezulton se në këto 8 vjet në Shqipëri është ngritur vetëm një inkubator biznesi, që është zyra e Saliut dhe kabineti i tij qeveritar. Na rezulton po ashtu se i vetmi hap konkret që ka ndërmarrë Sali Berisha për të ndihmuar industrinë shqiptare është importi i plehrave të botës” tha Shalsi.Ai ka theksuar se pas 23 qershorit, PS-ja do të çlirojë biznesin nga gjithë këto zinxhirë e mekanizma mbytës që po e asfiksojnë sot jo vetëm industrinë por edhe ekonominë shqiptare në tërësi. “Ne do të mbështesim sektorët prodhues, që krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë, që nxisin punësimin, që zgjerojnë prezencën e produkteve shqiptare në tregjet e eksporti, duke trajtuar me precedencë, me lehtësira serioze, administrative e fiskale sektorët e eksplorimit të naftës, të energjisë dhe të bujqësisë” shtoi Shalsi.