PD: Pr/ligji për pronat skandaloz, kompesim me vlerën e vitit 1976
Edhe PD ka kundërshtuar draftin e qeverisë për reformën e pronave të prezantuar nga kryeministri Edi Rama. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputetja Jorida Tabaku e ka quajtur skandaloz. Deputetja shprehet se Rama kërkon që toka të kompensohet me vlerën e vitit 1976.Jorida Tabaku: Pasi ka shënuar një bilanc Zero në dy vite, madje kthim pas në çështjen e kompensimit të pronave, qeveria është paraqitur me një projektligj që është pak të quhet skandaloz. Edi Rama kërkon që toka të kompensohet me vlerën e vitit 1976, pra të vitit ku Kushtetuta Komuniste i shtetëzoi të gjitha tokat. Pra nëqoftëse një pronar është shpronësuar për 10.000 m2 tokë bujqësore në rr. "Komuna Parisit" në Tiranë, do vlerësohet si tokë bujqësore në zonën kadastrale më të afërt që ka tokë bujqësore, në këtë rast Vaqarri, ku vlera është afërsisht 2-3 euro për metër katror. Ligji përcakton se çmimet e tokës i vendos shteti dhe se këto çmime nuk mund të kundërshtohen në gjykatë. Ligji merr përsipër që të ndërtojë një Agjensi të Trajtimit të Pronave, që nuk është veçse një agjensi burokratësh në formën e ish komisarëve të dikurshëm, që po sillen me pronarët në të njëjtën mënyrë si bënte dikur dega e brendshme.