Politika italiane dhe Vatikani përshëndesin marrëveshjen me Iranin
Marrëveshja historike e arritur sot në Vienë mbi programin nuklear iranian është përcjellë mjaft pozitivisht nga qeveria e politika italiane.Presidenti i Republikës italiane, Serxhio Mattarella, shprehet mjaft i kënaqur nga arritja e kësaj marrëveshjeje."Në Lindjen e Mesme ku fjala e fundit lihet në duart e armëve, u shpreh ai, ky pakt shënon një tendencë të re e dëshmon se si dhe në Lindjen e Mesme mund të arrihen suksese me anë të rrugës së dialogut dhe diplomacisë."Për Ministrin e Jashtëm, Paolo Gentiloni, "marrëveshja e Vjenës hap mundësi të reja për popullin iranian e për besimin e tij fetar, duke normalizuar raportet me Komunitetin Ndërkombëtar e në rinisjen e marrëdhënieve të rregullta ekonomike e financiare me Republikën Islamike të Iranit."Sipas tij, një rol të rëndësishëm në arritjen e këtij pakti ka luajtur Bashkimi Europian e të gjithë negociuesit e kësaj çështje.Komisionerja europiane për Çështjet e Jashtme e Sigurinë, Federika Mogherini, dikur Ministre e Jashtme e qeverisë Renzi e ka komentuar këtë marrëëveshje si një shenjë shprese për të gjithë botën.Të shumta kanë qënë sot në politikën italiane dhe përgëzimet e urimet mbi punën e kryer nga italiania Mogherini në rolin e negociatores së këtij momenti historik.Gjithashtu dhe Selia e Shenjtë e Vatikanit është shprehur pozitivisht ndaj marrëveshjes së Vjenës mbi programin nuklear iranian.Zëdhënësi i shtypit të Vatikanit imzot Federiko Lombardi në konferencën e sotme për shtyp ka deklaruar se ky fakt është një rezultat i rëndësishëm, por që kërkon më shumë punë për të arritur frute të reja."Nuk duhet të limitohemi vetëm në programin nuklear, u shpreh ai, por është i nevojshëm zgjerimi i drejtimeve të këtij rezultati."